Këngëtari Rati ka rrëfyer i përlotur momentin kur mori lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të mikut të tij, Shpat Kasapit.
I ftuar në studion e Living Day me moderatoren Brunilda Lahe, ai tha se lajmin e ka lexuar në website-in e Vizion Plus.
Lexo edhe :
Related Posts
Rati e kujtoi Shpatin si një djalë gazmor, energjik dhe me zemër të madhe, duke ndarë edhe episode të bukura nga koncerte e udhëtime të përbashkëta.
Ai zbuloi se të dy kishin lënë përgjysmë një projekt muzikor që Shpati dëshironte ta realizonte, një këngë ritmike që shpreson të mund t’ia kushtojë mikut të tij, në nder të kujtimit të paharrueshëm.
Pjesë nga intervista:
Lahe: Sa e sa eksperienca, koncerte i keni pasur bashkë gjatë këtyre dy dekadave?
Rati: Shumë herë. Shpati ka qenë një djalë që nuk e shikoje të mërzitur kurrë. Ishim në aeroport para gjashtë muajsh, në Bergamo, bashkë me Shpatin. Ishin rreth 10 artistë që ishin për koncerte në Itali. Edhe kur Shpati tha: A fusim një këngë këtu në aeroport? Ishim te shkallët, sepse ngaqë kishte vonesa, kemi filluar duke kënduar me Shpatin. Shpati gjithmonë ka qenë gazmor, gjithmonë me zemrën e pastër, zemrën e madhe. Akoma nuk e besoj që nuk është më mes nesh.
Lahe: Është vërtet e pabesueshme. Të shumtë ishin ata që e vunë në dyshim vërtetësinë e lajmit. Si e morët vesh lajmin?
Rati: Unë e pashë nga ju, nga Vizion Plus, dhe po kontrolloja te faqja e Shpatit, te instagrami i Shpatit. Thashë, mos është gënjeshtër, se akoma s’e besoj. Më përpara pashë një lajm në një portal tjetër. Pastaj kur hapa Vizionin, thashë: Qenka e vërtetë, se normalisht televizioni është televizion. Jam i shokuar. Kur më morën në telefon, unë sapo isha nisur nga Vjena për të ardhur për në Shqipëri. Nuk e refuzova dot. Kam ardhur me rrobat e udhëtimit, vetëm për Shpatin.
Lahe: Ke shkruar edhe një status shumë të ndjerë: “Të qoftë dheu i lehtë, o Shpat vëlla, do na mungosh. Ngushëllime familjes”.
Rati: Po. E kam pasur sinqerisht si vëlla, sepse Shpati sillej si vëlla. Unë do isha për në Amerikë në shtator, më tha: Rati, kam hapur një lounge, duhet të vish të rrish për qejf, të pish ndonjë gotë. I thashë: Shpat, do vij të takoj, me kismet, kur të kthehem nga Amerika, se ika. Nuk e di. Jam pa fjalë. Më dridhej trupi kur e pashë. Gjithë ai djalë, dy metra, djalë king, djalë flori nga të gjitha anët pozitive.
Lahe: Ju kishit një marrëdhënie të tillë që flisnit vetëm për projektet muzikore apo ndanit edhe detaje nga jeta personale?
Rati: Më tepër te projektet muzikore, nga jeta personale shumë pak, sepse largësia bën të vetën. Kemi pasur koncerte bashkë. E fundit ka qenë kur më merr në telefon, më thotë: Jeta kam një këngë të bukur, do ta bëjmë bashkë kur të vish. Edhe ma çoi projektin, më pëlqeu dhe thashë: Po, patjetër, pse jo?.
Lahe: Pra, ka ngelur një projekt përgjysmë për Shpatin?
Rati: Shpat Kasapi kishte një projekt muzikor që donte ta realizonte. Shpresoj, Zoti do ta realizojë dhe do t’ia kushtojë atij.
Lahe: A është një këngë baladë?
Rati: Jo, ishte këngë ritmike. Ishte për dasmë, por ishte shumë e bukur.
/vizionplus.tv








