Eksperti i ekonomisë Ergis Sefa parashikon rritje të ndjeshme të çmimeve në Shqipëri, si pasojë e luftës në Lindjen e Mesme.
I ftuar në studion e QUO VADIS në Vizion Plus, ai tha se rritja do të ndikojë drejtpërdrejt në naftë, energji, në kostot e ndërtimit, qiratë dhe shpenzimet e turizmit, përfshirë edhe çmimet e biletave të avionit.
Sipas Sefës po ashtu, importi i ushqimeve dhe pijeve do të bëhet më i shtrenjtë, duke ndikuar te qytetarët me të paktën 2% nëse lufta mbyllet nesër, por nëse konflikti zgjat edhe dy muaj, rritja mund të arrijë deri në 9%.
Ai rekomandoi që çdo familje të krijojë rezervë ushqimesh dhe ujit për të paktën 3 deri në 7 ditë, dhe të menaxhojë me kujdes portofolin e saj gjatë muajve të ardhshëm.
Po ashtu, eksperti paralajmëroi se biletat e avionit dhe shërbimet turistike pritet të shtrenjtohen, ndaj planifikimi i pushimeve duhet bërë sa më shpejt.
Pjesë nga biseda:
Sefa: Supozojmë se lufta zgjat deri në fund të marsit. Në Shqipëri ndikon tek karburanti, që aktualisht është 200 lekë më shumë për litër. Edhe nëse nesër mbyllet lufta, inflacioni ose rritja e çmimit do të ndikohen. Rritje në ndërtim do të ndikojë gjithashtu, sidomos materialet bazë të ndërtimit. Ja ku u gjet dhe shkaku për rritjen e qirave dhe shtëpive. Ndikon edhe tek turizmi, do të kemi rritje të biletave. Energjia elektrike, kemi bërë një punë shumë të mirë me energjinë e rinovueshme, por ne gjithashtu importojmë energji. Ushqimet dhe pijet, ne importojmë 56% ushqime dhe pije. Nëse rriten kostot, do t’i importojmë më shtrenjtë, dhe për shqiptarët do të ndikojë, të paktën 2% nëse lufta mbyllet nesër. Nëse zgjat edhe 2 muaj, kemi një rritje deri në 9%.
Borakaj: Në këtë situatë duhet të shtohen rezervat? Çfarë duhet të bëjnë njerëzit?
Sefa: Padyshim, rezervat. Çdo familje duhet të ketë ushqime dhe ujë rezervë të paktën 3 ditë deri në një javë. Këto efekte pritet t’i ndjejmë në verë, në fillim të qershorit. Këto muaj duhet të fillojmë të ekonomizojmë më mirë portofolat tona.
Borakaj: Duhet të planifikojmë pushimet tani?
Sefa: Absolutisht po. Kapini biletat e avionit tani sepse do të ketë shumë rritje.
/vizionplus.tv





