Kryeministri Edi Rama sqaroi për herë të parë çështjen e mbetjeve që u nisën pak muaj më parë nga porti i Durrësit drejt Tajlandës dhe Kinës.
Duke shfrytëzuar interpelancën e kërkuar nga Partia Demokratike, shefi i qeverisë Rama së pari solli në vëmendje se deri në këto momente ekzistojnë vetëm dyshime se këto mbetje janë të rrezikshme dhe institucionet e Shqipërisë dhe BE po hetojnë për të zbardhur të vërtetën.
“A është kryer eksport i mbetjeve të rrezikshme? Sipas të dhënave të bëra me dije publikisht, në çdo deklaratë, e në çdo dokument të paraqitur nga subjektet private, si pjesë e procedurave të eksportit, është shumë e qartë se eksporti I mallrave në fjalë nuk është eksport mbetjesh të rrezikshme. Gjithashtu, praktika doganore e këtyre eksporteve ka të bashkëngjitur certifikatën e analizës së mallit, nga laboratori i një vendi të BE-së, i cili konfirmon deklarimin e subjektit”, tha Rama.
Kreu i grupit parlamentar Bardhi e kryeministri Edi Rama kanë replikuar për përgjegjësitë që ka shteti shqiptar dhe porti i Durrësit në rastin e eksportit të mbetjeve të rrezikshme
“Si janë lejuar të eksportohen nga Porti i Durrësit. Kush i ka lejuar të dalin nga porti i Durrësit. Për këtë duhet të përgjigjet kreu i aktivitetit të kontrabandës”, tha Bardhi.
“Nuk është kryer asnjë lloj analize, qoftë edhe me përzgjedhje në këtë rast, as nga kompania gjermane që administron këto lloj eksportesh në Portin e Durrësit, as nga transportuesi, i cili e përsëris është një kompani ndërkombëtare lider në transportin detar; as nga autoritetet e vendi tranzitues në Bashkimin Europian dhe madje-madje, as nga vetë vendi pritës që kundërshton sot, por nuk ka kundërshtuar zyrtarisht asnjë deklarim sepse nuk ka bërë asnjë analizë. Po pse nuk janë bërë analizat? Sepse në asnjë port të botës përveçse në “portin e mbetjeve” që administrohet nga penxherja e katit të 8, atje mbi rrugën e shpresës së kotë, nuk analizohet çdo ngarkesë”, deklaroi kryeministri Rama.
Opozita shfrytëzoi përballjen e parë në këtë sesion me kryeministrin Edi Rama për të akuzuar qeverinë që ai drejton për bashkëpunim me grupe të krimit të organizuar.
“Unë po të pyes: Si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar. Kodi pin i Sky ECC, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti? Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi më duhet një dimër aty vëlla. Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm”, shtoi Bardhi.
“Nëse unë nuk gaboj është zotëria që tha: Po erdhi Saliu me Flamurin në godinë, unë do iki nga politika. Nuk iku nga politika, iku nga godina bashkë me Flamurin për të mbajtur kokën lartë e për të parë Saliun. Kështu që është problem i madh, shumë problem i madh dhe problemin më të madh këtu e ka ai që është në kat të tetë që nuk ngeli balerinë pa i shkuar atje te parvazi e pa i thënë ma lër mua ta tund belin për ty,” shtoi Rama
Pasi mbaroi interpelancën kryeministri Edi Rama u largua nga parlamenti, ndërkohë qe opozita zhvilloi një tjetër interpelancë me numrin 2 të qeverisë Belinda Balluku për çështjen e autostradës Thumanë Kashar. /vizionplus.tv





