Subscribe

Në deklaratën e saj të radhës për inceneratorët, Partia Demokratike kërkoi nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion të vihet në lëvizje sa më parë, pas denoncimeve të njëpasnjëshme të opozitës.

 

 

Deputeti Belind Këlliçi tha se është momenti që SPAK të tregojë se mund të zbardhë aferën, ose të vërtetojë se po pengohet për të vënë përpara përgjegjësisë të gjithë zyrtarët qeveritarë.

 

 

BELIND KELLIÇI

DEPUTET I PD

 

“Pas gjithë denoncimeve me fakte, data, emra dhe shifra, për një çështje që flitet në çdo mjedis, në parlament, nëpër kafene, në rrjete sociale dhe media, si ka mundësi që gumëzhin gjithë Shqipëria dhe vetëm ju nuk flisni?! Çfarë ju mban gojëmbyllur? Apo më mirë t’ju pyes, kush e ka fuqinë t’ju mbajë gojëmbyllur? Përse nuk thërritet Erion Veliaj për dokumentin e firmosur në mars të vitit 2017, atëherë kur me firmën e tij ndryshoi fatin e kontratës për inceneratorin e Tiranës? Përse ky trajtim i veçantë për Veliajn? Po Arben Ahmetaj përse nuk trajtohet nga drejtësia? Përse nuk e hetoni? Ka ndonjë status të veçantë? Përse qeveria vijon të disbursojë qindra mijëra euro për pronarët e inceneratorëve që janë në kërkim? Përse Mirel Mërtiri nuk shpallet person në kërkim ndërkombëtar, njëlloj si miqtë e tij si Zoto e Gugallja? Këto janë pyetje shumë të thjeshta për shqiptarët, por të vështira për drejtësinë e dorëzuar.”

 

 

Inceneratorin e Tiranës PD e veçon si më spektakolarin për vjedhje pasi sipas saj, ai nuk ekziston, edhe pse mijëra dollarë paguhen çdo ditë.

 

 

BELIND KELLIÇI

DEPUTET I PD

 

“A mundet njëri nga ju, për hir të së drejtës së informimit, t’i tregojë shqiptarëve pamjet e inceneratorit të Tiranës? Ku është? Kush e ka parë? Si duket? Na e tregoni si duket një incenerator. Nuk mundeni sepse nuk ekziston. Mbetjet e Tiranës futen në landfillin e Sharrës. Aty ku janë futur edhe më parë. I vetmi ndryshim është se fatura shqiptarëve u shkon për incenerim. Qytetarët e Tiranës sot paguajnë 80 mijë dollarë në ditë, për pastrimin e qytetit dhe incenerimin e mbetjeve, proces i cili nuk ndodh.”

 

Teksa opozita del çdo ditë para mediave për të bërë publike fakte të reja për aferën e inceneratorëve, kreu i SPAK Arben Kraja garantoi një ditë më parë se për këtë çështje do të ketë hetim të plotë dhe se përgjegjësit do të vihen para ligjit.

 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *