12 milion euro pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme janë sekuestruar në qytetin e Fierit në kuadër të operacionit “Furtuna”.

 

Ato janë pasuri të përfituara nga veprimtaria kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta.

 

Këto pasuri të zotëruara nga Arjan Shanaj përfshijnë:

 

  • 3 shoqëri dhe konkretisht shoqëri ndërtimi e tregtimi gazi në Fier, Durrës, Tiranë, Korçë etj.
  • 1 hotel trekatësh në Fier dhe një njësi shërbimi bashkëngjitur;
  • 2 vila trekatëshe;
  • 5 njësi shërbimi me sipërfaqe 7 982 m2;
  • 3 apartamente banimi;
  • 4 garazhe me sipërfaqe prej 1 092 m2, në Fier, Tiranë, Durrës;
  • 8 793 m2 tokë, në Tiranë, Durrës, Fier;
  • 20 000 euro në llogaritë bankare;
  • Një automjet me vlerë 40 000 euro;

 

Arjan Shanaj më datë 20 qershor 2017 u arrestua në flagrancë së bashku me shtetasin grek Th. K., pasi u kapën në Greqi me 20 kg kokainë, me vlerë të përafërt tregu rreth 800 000 euro.

 

Ata merreshin me importimin, magazinimin, përzierjen, falsifikimin, ricertifikimin, trafikimin, transportimin dhe shpërndarjen e kokainës nga vende të Amerikës Latine.

 

Menjëherë pas arrestimit në Greqi dhe shkëmbimit të informacionit me palën greke, Policia e Shtetit me iniciativë nisi hetimet proaktive ndaj shtetasit Arjan Shanaj, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

 

Aktiviteti kriminal i ushtruar nga ky shtetas në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike nga Turqia në Shqipëri gjurmohej nga Policia prej vitesh.

 

Në vitin 2014, në kuadër të procedimit penal të regjistruar më parë, shtetasi Arjan Shanaj u arrestua në flagrancë nga Policia, për veprën penale armëmbajtja pa leje, pasi gjatë kontrollit të automjetit të tij Policia gjeti dhe sekuestroi dy armë zjarri dhe një sasi fishkesh, që i mbante pa leje.

 

Më datë 18.07.2016 shtetasi A. Sh. u shpall në kërkim pasi dyshohej se në bashkëpunim me shtetasin S.K., në vendin e quajtur “Ishull Lezhë”, kishte kanosur dhe goditur shtetasin A. Gj. duke konsumuar veprat penale “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Kanosja”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *