Kryeministri Edi Rama zgjodhi podcastin e tij për të prezantuar kandidatët për deputetë të PS dhe figurat e reja me të cilat Rama synon të kërkojë mandatin e katërt më 11 maj. Së bashku me ekipin e kandidatëve për deputetë, Rama deklaroi se premtimi kryesor elektoral i socialistëve dhe programi i tyre është anëtarësimi në BE në vitin 2030.
“Ne mund t’i sigurojmë çdo shqiptari pasaportën europiane të Shqipërisë 2030. Në këtë pasaportë duhet të shtohet diçka themelore: BE, Republika e Shqipërisë. Për t’ju dhënë pasaportën e BE, na duhet një mandat më i fortë se tre mandatet e mëparshme.”, tha Rama.
Në fillimin e kësaj fushate elektorale, kryesocialisti Edi Rama shpjegoi edhe përfitimet që vendi do të ketë në momentin që anëtarësohet në BE.
“Me këtë pasaportë, Europa bëhet e vogël sa Shqipëria dhe Shqipëria bëhet e madhe sa Europa. Ky është horizonti ynë më i afërt se kurrë. Çdo i ri dhe e re mund të studiojë pa tarifa shtesë, mund të punojë pa leje pune kudo, duke gëzuar të njëjtat të drejta.”
E ndërsa prezantoi kandidatët qark pas qarku, Rama ironizoi kandidatët e PD duke u ndalur te kandidati i Lezhës, Gjin Gjoni.
“Gjithë ky qark që mbart vlera, shtrydhet dhe në fund nxjerr Gjin Gjonin. Këtë dhuratë Lezhës mund t’ja bëjë vetëm këneta dhe askush tjetër. Një personazh i nxjerrë, një jashtënxjerrje e Reformës në Drejtësi. Një simbol i korrupsionit në drejtësi, i njohur pjesërisht.”
Më 13 mars, PS dorëzoi listat e kandidatëve në KQZ, ku binte në sy se lideri i mazhorancës, Edi Rama, kishte vendosur emra të rinj në pjesën e sigurt të listës.
/vizionplus.tv