Kosova kërkon anëtarësimin në NATO. Kryeministri, Albin Kurti në një intervistë për televizionin publik në Prishtinë deklaroi se situata e luftës në Ukrainë e bën të domosdoshme përfshirjen në Aleancën Veriatlantike.
ALBIN KURTI
KRYEMINISTER, KOSOVE“Të bëhesh anëtar i NATO-s është më lehtë se sa të bëhesh anëtar i Bashkimit Evropian. Duke marrë parasysh invazionin dhe agresionin rus në Ukrainë bëhet e qartë se ne e kemi urgjente të bëhemi sa më shpejtë pjesë e NATO-s. Kur takohen individualisht vendet e NATO-s, është i madh numri i zyrtarëve që ka mirëkuptim për Kosovën.”
Duke u ndalur te zgjedhjet presidenciale serbe që do të mbahen me 3 prill, Kurti sqaroi se ka tentuar të arrijë një marrëveshje me Beogradin që të mbahen edhe në veri të vendit, por një gjë e tillë është refuzuar.
ALBIN KURTI
KRYEMINISTER, KOSOVE
“Në rastin e fundit të zgjedhjeve të paralajmëruara të Serbisë për datën 3 prill ne i kemi kërkuar që të ketë një marrëveshje paraprake në bazë të së cilës do të mund të mbaheshin ato zgjedhje edhe në Republikën e Kosovës. Për t’u bërë ajo marrëveshje, letrën e kërkesës për mbajtjen e zgjedhjeve ne si Qeveri e Kosovës e presim nga Qeveria e Republikës së Serbisë, pra ai i cili është i interesuar për një gjë e bën kërkesën dhe kur ne pranojmë kërkesën dhe jemi dakord bëhet marrëveshja.”
Por, sipas presidentit serb Aleksandër Vuçiç, vendimi i Kosovës për të ndaluar votimet ka për synim destabilizimin e rajonit.
ALEKSANDER VUÇIÇ
PRESIDENT I SERBISE
“Nuk bëhet fjalë vetëm për zgjedhjet e 3 prillit; synimi është që të poshtërohen serbët. Është vendim pragmatik i Kurtit për të ulur numrin e votave për mua dhe listën time. Është shqetësuese që bota ishte e gatshme të mbyllte sytë ndaj mungesës së qasjes konstruktive dhe lëvizjes së Albin Kurtit, që provokon destabilitet dhe problem në rajon.”
Një ditë më parë, Vuçiç deklaroi se qytetarët me shtetësi serbe që jetojnë në Kosovë do të votojnë në komunat e Serbisë qendrore.