Subscribe

Kriza energjitike në Kosovë vijon të thellohet ndërsa qytetarët dhe bizneset po përballen në vazhdimësi me ndërpreje të tejzgjatura të energjisë elektrike. Në këto kushte, janë shtuar zërat e protestës, ndërsa kryeministri Albin Kurti argumenton se nuk ka zgjidhje tjetër më të favorshme.

 

Duke u përgjigjur në rrejtet sociale, kreu i ekzekutivit ia faturon një pjesë të përgjegjësisë qeverisjeve të mëparëshme por nuk përjashton edhe rritjen e çmimeve në tregun ndërkombëtar.

 

ALBIN KURTI

KRYEMINISTËR I KOSOVËS

“Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjellë në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro.”

 

Por, ish-kryeministri Ramush Haradinaj e cilëson si pafytyrësi qëndrimin e kryeminstrit Kurti duke u shprehur se kriza nuk ka ardhur nga hici dhe se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka mbështetur asnjëherë projektet energjetike të propozuara.

 

RAMUSH HARADINAJ

ISH KRYEMINISTER

“Qasja e Albin Kurtit si protagonist global i mjerë, në tendencë në luftën kundër korporatave dhe globalizimit, e ka vulën e vet në krizën energjetike të Kosovës. Kanë qenë korporatat ato që do ta shndërronin Kosovën në fuqi energjetike por fatkeqësisht këto nuk janë në përputhje me ideologjinë e Kurtit.”

Ndërkohë zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kyeziu deklaroi se edhe pse Kosova i ka marrë të gjitha masat për të përballuar situatën energjetike, kriza është globale dhe pasojat janë të pashmangshme.

 

PËRPARIM KYEZIU

ZËDHËNËS I QEVERISË SË KOSOVËS

“Masat janë ndërmarrë me qëllim të amortizimit të krizës, por kur kriza është globale dhe Kosova për 20 vjet nuk ka arritur të përmirësojë kapacitetet e saj medoemos, pavarësisht përpjekjeve tona që ajo të jetë sa më e vogël dhe minimale, pasojat janë gati se të pashmangshme”

Ndërkohë, një grup qytetarësh marshuan në rrugët e Prishtinës duke kërkuar furnizim të rregullt me energji elektrike dhe shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizavnolli.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *