Arrestimi i autorit të grabitjes me armë zjarri të pikës së këmbimit të parave në zonën e Astirit ka ndihmuar policinë për të zbardhur piramidën e krimeve të një prej bandave më të rrezikshme, asaj te Laert Haxhiut.
Artan Tafani, i cili para tre muajsh grabiti mbi 30 mijë euro në një Exchange, ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë duke hedhur dritë në 6 vrasje, 5 raste të shpërthimeve me tritol, 2 vjedhje me dhunë, 3 rasteve të sigurimit të kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje dhe 1 kanosje të punonjësit të policisë.
Detajet e operacionit ‘Kurrë mos harro’ i ka bërë publike kreu i policisë Muhamet Rrumbullaku dhe kryeprokurori i Elbasanit Kreshnik Ajazi.
MUHAMET RRUMBULLAKU
DREJTOR I PERGJITHSHEM I POLICISE
Bazuar në provat e siguruara nga ky megaoperacion, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka lëshuar 15 urdhra ndalimi, nga të cilat 12 janë ekzekutuar, ndërsa 3 shtetas janë shpallur në kërkim.
Prokurori Ajazi u shpreh se po hetohen edhe dosje të vjetra që mund të lidhen me këto personazhe të krimit, ndërkohë shpjegoi edhe motivet e vrasjeve apo ngjarjeve të tjera.
Janë administruar prova të plota që lidhen me këto vepra penale në bashkëpunimin tonë me policinë e shtetit. Këta autorë kanë vepruar për baza përfitimi dhe konflikte interesi.
Laert Haxhia aktualisht ndodhet i arrestuar në Greqi, shtet i cili më heret ka refuzuar ekstradimin e tij. Provat e siguruara, për Rrumbullakun, janë bileta e Haxhisë për tu përballur në Shqipëri me të gjitha akuzuat.
Jemi ne komunikime të vazhdueshme me zyrën e Interpolit kemi besim se mund ta arrijmë pavarësisht problematikave që kemi para mes dy vendeve. Jemi në bashkëbisedime për të zgjidhur problemin e çështjeve të ekstradimit me Greqinë, por edhe për raste të tjera për të gjithë shtetasit shqiptar.
Sa i takon pyetjeve nëse ka patur efektivë të përfshirë me personazhet e krimit dhe të bandës së Laert Haxhisë, Rrumbullaku u shpreh se nuk ka rezultuar një gjë e tillë, duke vlerësuar edhe faktin se ky operacion nuk u dekonspirua.





