Një ditë më parë, ndarja nga jeta e Shpat Kasapit ka tronditur publikun shqiptar, i cili prej më shumë se 20 vitesh e ka duartrokitur në çdo skenë ku ka performuar.
Arif Ziberi nga grupi Elita 5, i ftuar në emisionin Mes’Dritë në Vizion Plus, ka folur me lot në sy për largimin e artistit.
Lexo edhe :
Related Posts
“Lajmin ma ka dhënë vajza. Nuk e besova. Unë e njihja si një djalë të shëndetshëm, optimist, por për fat të keq ishte lajm i vërtetë,” tha ai.
Babai i Shpatit, i ndjeri Naimi, ka qenë menaxher i grupit Elita 5. Pas vdekjes së babait, Shpati ka jetuar në Shkup, ndaj takimet me Arif Ziberin kanë qenë më të rralla.
Herën e fundit që ai e takoi ka qenë rreth një muaj më parë, në Tiranë, së bashku me një shok të përbashkët.
“Këtë fundjavë do jem sërish në Tiranë, por për fat të keq Shpati nuk është më,” shtoi Ziberi.
Arif Ziberi rrëfeu se njohja me Shpat Kasapin ka qenë edhe familjare.
“Albumin e dytë, albumin legjendar të Elita 5, menaxher ka qenë babai i Shpatit dhe provat i kemi bërë në shtëpinë e tij. E mbaj mend Shpatin 5 vjeç, një djalë shumë i lëvizshëm, që e donte muzikën dhe realizoi ëndrrën e vet, duke arritur një sukses të paparë. Ka qenë gjithmonë i buzëqeshur. Mua më ka respektuar shumë, edhe vajzat e mia i ka patur shoqe dhe i ka respektuar.”
Përsa i përket ceremonisë mortore, ai u shpreh se nuk ka informacion dhe se është në pritje për ta përcjellë për në banesën e fundit.
“Shpresoj së shpejti të kemi një informacion. Profesioni jonë është i vështirë. Nuk kam informatë, pres të shkojmë ta respektojmë për herë të fundit.”
/vizionplus.tv





