Fitorja 1-0 ndaj Hungarisë në “Elbasan Arena” ka rritur shpresat tek kuqezinjtë për një kualifikim të mundshëm në Botërorin e Katar 2022, edhe pse tani gjithë vëmendja është tek sfida ndaj San Marinos të mërkurën në mbrëmje. Një fitore e kuqezinjve mund t’i dërgonte në vendin e dytë, duke parë dhe sfidën e vështirë që Polonia ka ndaj Anglisë. Në konferencën për shtyp, tekniku italian Edi Reja kërkoi ta mbajë me këmbë në tokë skuadrën, duke vlerësuar maksimalisht dhe një kundërshtar si San Marino.
“Ndaj San Marinos do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. Është një rival i vështirë dhe i organizuar . Ne thjesht duhet të kemi frymën e duhur . Duhet të bëjmë maksimumin që ti lejmë sa më pak hapësira . Është ndeshja jonë vendimtare. Nuk mendoj për asgjë tjetër . Duke qenë se dhe Polonia ndeshet me Anglinë , kemi mundësi më shumë se kurrë për të dalë në vendin e dytë. Kundërshtar direkt për ne është Polonia.”
I pyetur nëse ka menduar për 11 titullarët që do të hedhë në fushë, Reja u përgjigj:
“Sigurisht, do të ketë risi. Kemi Abrashin të dëmtuar dhe Gjasulën e skualifikuar, por nuk do të zhbalancohemi shumë . Do të pres deri nesër për të parë se cila është gjendja e lojtarëve, pasi ka lojtarë që kanë marrë dhe goditje. Ata që do të rikthehen do të na japin një dorë, si Hysaj, Bare dhe Manaj, për mua është e rëndësishme që ata që luajnë të jenë vendimtar.”
Kapiteni i skuadrës për këtë ndeshje do të jetë Elseid Hysaj, i cili mungoi në sfidën ndaj Hungarisë për shkak të kartonëve. Futbollisti shkodran u shpreh se fryma në skuadër është pozitive.
“Kemi besim dhe jemi përforcuar, Shqipëria nuk ka qenë kaq e përforcuar me lojtarë që luajnë me ekipet e mira europiane. Duhet të kemi besim, duhet të luajmë shumë mirë, sepse edhe me Hungarinë kemi luajtur shumë mirë.”
Aktualisht, Shqipëria ndodhet në vendin e tretë me 9 pikë , 1 më pak se Polonia e vendit të dytë dhe 6 nga Anglia e vendit të parë.