Sezoni i ri futbollistik nisi këtë të diel me Kupën e Shqipërisë ku edhe këtë vit nuk pati shumë surpriza sa i takon skuadrave të mëdha. Pas afro 1 muaj e gjysmë bojkot, lojtarët zbritën në fushë për të prodhuar gola shqiptarë. Teuta shkatërroi Tërbunin me rezultatin 4-0 në shtëpi. Djemtë e detit dhe pse jo me formacionin titullar, zhvilluan një lojë të mirë duke dhënë sinjale pozitive në këtë fillim sezoni. Jazxhi, Kapllani, Gruda dhe Vila ishin protagonistë në këtë takim.

Nga ana tjetër, Kukësi fitoi bindshëm ndaj Maliqit me rezultatin 5-0. Verilindorët e zhbllokuan shpejt sfidën me Gavazajn, Kotobellin që mbyllën pjesën e parë më rezultatin 2-0. Ndërsa në fraksionin e dytë, Ibrahimi dhe dy gola të Eze vulosën dhe suksesin përfundimtar të sfidë .

Edhe Vllaznia e ktheu në një stërvitje ndeshjen e Kupës dhe fitoi 7-0 ndaj Devollit. Protagonist kryesor në këtë takim ishte Dilaver me 3 gola ndërsa Imeri, Marku dhe Jonuzi  shënuan dhe  mbyllën ndeshjen pa shumë vështirësi. Për trajnerin Brdariç e rëndësishme është që skuadra prodhoi lojë e gola dhe padyshim që në të njëjtën mënyrë duhet të vazhdojë edhe për të ardhmen.

TRAJNERI I VLLAZNISË

“Ishte një fillim i mirë për ne, bëmë një lojë me volum, por edhe shumë gola. Ne e kishim marrë shumë seriozisht këtë sfidë, e si rrjedhojë ishte lojë bindëse e për më tepër shënuam shumë gola. Kjo sfidë për Kupë, ishte fitore morali me një kualifikim për më tej në Kupë, ndërsa na shërben shumë për ndeshjen hapëse të kampionatit me Apoloninë, ku tashmë kemi përqendruar tërë forcat tona.”

Edhe skuadrat e kryeqytetit bënë detyrën, Partizani fitoi  5-0 ndaj Ilirisë. Solomon dy herë, Asani , Broja dhe Corderio kualifikuan të kuqtë në raundin tjetër. Ndërsa Tirana mundi Shkumbinin me shifrat 4-1 dhe Skënderbeu fitoi minimalisht me një gol të Mensah përballë Tomorit.

Takimet e turit të dytë në Kupën e Shqipërisë do të luhen në 12 nëntor

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *