Kumbaro: Po punojmë për një mjedis sa më të shëndetshëm dhe të sigurt në shkolla

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ndërsa ishte e pranishme në Kamëz, foli për rëndësinë e sigurisë në shkolla.
Ministrja Kumbaro theksoi se roli i oficerëve të sigurisë, psikologëve dhe punonjësve socialë në shkolla është mjaft i rëndësishëm.
Sipas saj, secila ministri ka rolin e vet në mbarëvajtjen e sigurisë në shkolla dhe Paketa e Sigurisë në Shkolla është një nismë shumë e mirë.
“Oficeri i sigurisë është një nga figurat kyçe brenda shkollës, që tregon se në politikëbërje i japim vëmendje qetësisë dhe sigurisë së fëmijëve. Kemi dhe psikologë dhe punonjës socialë për të krijuar një mozaik si një kopsht me pemë të shëndetshme. Nuk ia dalim dot vetëm. Ne jemi 4 ministra ku, pas një pune shumë të gjatë, po ndajmë së bashku detyrat e ministrive për të ofruar një mjedis sa më të shëndetshëm dhe të sigurt për shkollën”, tha Kumbaro.
Deklarata e Kumbaros erdhi ndërsa ndodhej në Shkollën e Mesme të Bashkuar në Kamëz, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ministri i Bujqësisë, Andis Alla, dhe kryetari i bashkisë, Rakip Suli.




