Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, paralajmëroi Prokurorinë e Posaçme kundër krimit të organizuar e korrupsionit të mos aministojë kryebashkiakun Erion Veliaj për dosjen e inceneratorit të Tiranës.
Berisha komentoi deklaratat e drejtuesit të SPAK-ut Altin Dumani në lidhje me hetimet ndaj Veliajt, duke theksuar se ka dëshmi që implikojnë kryeministrin Edi Rama dhe Erion Veliajn në këtë çështje.
“Qytetarët dixhital informojnë se janë bërë dëshmi se paratë e inceneratorit të Tiranës janë investuar në kulla nga Edi Rama dhe Erion Veliaj”, tha Berisha.
Lideri i opozitës paralajmëroi SPAK-un të mos injorojë dëshmitarët dhe të zbardhë të vërtetën për çështjen e inceneratorit të Tiranës.
“Unë paralajmëroj se çdo fshehje dhe injorim i dëshmive për 130 milionë euro, do të ngarkojë me përgjegjësinë më maksimale, të barabartë me vjedhësit, ata që duan t’i fshehin sot”, shtoi kreu i PD-së.
Berisha komentoi edhe deklaratat e Altin Dumanit për hetimin e krimeve zgjedhore duke përsëritur se SPAK i ka pasur të gjitha provat, por nuk ka bërë asnjë veprim.
“Unë çdo ditë kam paraqitur vetëm prova, saqë jam përpjekur që të mos bëhem monoton dhe i mërzitshëm për publikun dhe për ju, dhe kam paraqitur as 1/10 e atyre. Çfarë e pengon atë që ti marrë këto prova? Por ai është një kriminel elektoral, vetë. Edhe njëherë, pas Edi Ramës ai është njeriu direkt përgjegjës më shumë se kushdo tjetër, për farsën elektorale, sepse me amnistimin e krimit elektoral, ai de fakto jep licencë, firmos licencën për farsën elektorale të partisë së krimit”, tha Berisha.
Për PD, task forca e ngritur për zgjedhjet nga SPAK dështoi të hetonte krimet elektorale dhe i shërbeu PS për të legjitimuar fitoren.





