Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin ndezi polemika pasi shkoi në disko, pavarësisht se e dinte se kishte rënë në kontakt me një person qe ishte i infektuar me Covid. Një gjë e tillë ndodhi të shtunën, kur liderja e re socialdemokrate shkoi në një festë në një klub në Helsinki, menjëherë pas njoftimit se ministri i Jashtëm, Pekka Haavisto, me të cilin Marin është në kontakt të përditshëm, ishte infektuar me virusin. Pas kritikave, kryeministrja kërkoi falje në rrjetet sociale:

“Duhet ta kisha vlerësuar më mirë situatën. Më vjen keq që nuk e bëra”.

 

Megjithatë, para se të kërkonte falje, kryeministrja u mbrojt duke deklaruar se fillimisht i ishte thënë që të mos ishte në izolim pasi kishte marrë dy doza të vaksinës, por më pas do të merrte një mesazh nga shërbimet shëndetësore dhe policia e sigurisë duke i thënë që gjithsesi duhet të shmangë kontaktet sociale,  SMS që kryeministrja nuk do ta kishte vënë re sepse kishte lënë celularin në shtëpi.

 

Sipas raportimeve nga BBC, kur të nesërmen ajo vuri re mesazhin, kryeministrja beri  menjëherë një test që gjitshesi doli negativ. Sipas udhëzimeve finlandeze për Covid-19, kushdo që ka bërë një dozë të dyfishtë të vaksinës nuk ka nevojë të izolohet nëse bie në kontakt me një rast pozitiv.

 

Megjithatë, sipas të përditshmes finlandeze Helsingin Sanomat, udhëzime të veçanta për ministrat dhe punonjësit e qeverisë rekomandojnë gjithashtu kufizimin e kontakteve sociale menjëherë pas kontaktit pozitiv me Covid. Duke folur me gazetarët, Marin tha se nuk i ishte dhënë ky udhëzues. Ajo tha se mori përgjegjësinë personale për mungesën e informacionit dhe përsëri kërkoi falje për veprimet e saj.

 

Politikanët e opozitës thanë se Marin duhet të kishte dhënë një shembull të mirë duke u izoluar vullnetarisht në vend që të shkonte në klub.

 

“Ishte e papërgjegjshme,” tha Mia Laiho, deputete e Partisë së Koalicionit Kombëtar./ tgcom

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *