Kryeministri polak Donald Tusk vlerësoi se situata në Evropë është më e keqja që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe u bëri thirrje evropianëve që të kuptojnë se lufta nuk është një koncept nga e kaluara, por se ata jetojnë në një gjendje të paraluftës në të cilën çdo skenar është i mundur dhe se dy vitet e ardhshme do të zgjidhin gjithçka.

“Unë nuk dua të tremb askënd, por lufta nuk është më një koncept nga e kaluara. Është e vërtetë, ajo filloi dy vjet më parë. Unë e di se si tingëllon për njerëzit nga brezi i ri, por ne duhet ta adoptojmë mendërisht se po vjen një epokë e re. Epokë e paraluftës .Nuk po e ekzagjeroj” , tha Tusk në një intervistë për disa media evropiane, përfshirë gazetën polake Gazeta Wyborcza.

Ai tha se në samitin e Bashkimit Evropian, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez kërkoi që të ndalohej përdorimi i fjalës “luftë” në dokumentet e BE-së, sepse njerëzit nuk duan të tremben në këtë mënyrë, dhe në Spanjë kjo u duket abstrakte.

“Ajo që shkakton trazirat më të mëdha sot është se fjalë për fjalë çdo skenar është i mundur. Ne nuk kemi pasur një situatë të tillë që nga viti 1945. Unë u përgjigja se në pjesën time të Evropës, lufta nuk është më abstrakte dhe se detyra jonë nuk është të diskutojmë, por të veprojmë dhe përgatitemi për mbrojtje”, tha Tusk. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *