Keir Starmer  mbërriti sot në Dublin, vizita e parë e një kryeministri britanik në Irlandë në pesë vjet, me synimin për të futur në “një epokë të re” marrëdhëniet midis dy vendeve.

Kryeministri britanik u takua me homologun e tij irlandez Simon Harris në rezidencën e tij.

Harris tha se ishte “shumë i kënaqur që marrëdhëniet britaniko-irlandeze janë në një rrugë të re”.

“Sot ndoshta do të përpiqemi të përcaktojmë se si do të duket realisht ripërcaktimi” i marrëdhënieve dypalëshe, vuri në dukje ai, ndërsa shtoi se këto duhet të bazohen “në paqen, prosperitetin, respektin e ndërsjellë dhe miqësinë”.

Nga ana e tij, Starmer vlerësoi se vizita e tij është “me të vërtetë e rëndësishme” për qeverinë e tij.

“Është kënaqësia ime që jam këtu dhe kam mundësinë të rinovoj miqësinë mes vendeve tona”, theksoi ai, duke vlerësuar se “ky fillim i ri” në marrëdhëniet dypalëshe “mund të jetë i rëndësishëm” dhe “i thellë”.

Dy kryeministrat do të diskutojnë, ndër të tjera, për luftën në Ukrainë dhe mbështetjen për Kievin, konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës dhe zhvillimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike midis Irlandës dhe Britanisë.

Para bisedimeve të tyre, Starmer dhe Harris këmbyen fanellat e kombëtares së Anglisë dhe Irlandës para kamerave dhe më vonë panë ndeshjen së bashku.

Para mbërritjes së Starmer në Dublin, Londra kishte vlerësuar në një deklaratë se kjo vizitë shënon “një epokë të re bashkëpunimi dhe miqësie” mes dy vendeve.

Kryeministri i mëparshëm britanik që vizitoi Irlandën ishte Boris Johnson në 2019, në mes të negociatave të Brexit midis Londrës dhe Brukselit./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *