Monika Kryemadhi është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku është njohur zyrtarisht me vendimin për mbylljen e hetimeve në dosjen “Meta”, në të cilën ajo dhe nëna e saj, Fatime Kryemadhi, janë marrë të pandehura.
Para se të hynte në ambientet e SPAK-ut, Kryemadhi ndaloi përpara gazetarëve dhe nuk i kurseu batutat. Në vëmendje ra unaza që mbante në dorë, për të cilën tha se e gjeti ne toke dhe ishte me rubin “guri i fatit”.
“Sapo e gjeta aty. Është me rubin, guri im i fatit. Do e çoj në SPAK ose do të paguaj avokatin me këtë. Do e ketë hedhur ndonjëra që është zënë dhe ka thënë ‘nuk e dua unazën tate’. Po bëj gati skenarin për filmin e radhës,” u shpreh ajo me ironi.
E pyetur për procedurën e mbylljes së hetimeve, Kryemadhi tha se nuk është dakord me akuzat, por do të ndjekë rrugën ligjore në gjykatë.
“Sot njihemi me mbylljen e hetimeve. Ne nuk jemi dakord. Do ta firmosim që të shkojmë në gjykatë dhe brenda 10 ditësh do të bëjmë memo. Nuk pyetem, 7 herë më kanë thirrur dhe nuk përgjigjem. Nuk bashkëpunoj me ta. Do flas në gjykatë. Është një procedurë që duhet bërë. Ata do bëjnë lojën e tyre, ne do të bëjmë lojën tonë.”
Në fund, Kryemadhi tha se ndjehet si tabelë qitjeje për shkak të qëndrimeve që ka mbajtur në lidhje me çështjen e inceneratorëve.
“Unë e shoh veten time tabelë qitjeje për denoncimin e inceneratorëve”, u shpreh ajo.
/vizionplus.tv





