Tashmë me statusin civil e divorcuar, Monika Kryemadhi ka folur për herë të parë pas divorcit me Ilir Metën. Pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme ku u paraqit në kuadër të masës së vendosur ndaj saj, Kryemadhi tha se martesa me Ilir Metën është një kapitull i mbyllur dhe nuk ka ndërmend që t’i lutet askujt që të pajtohen.
“Kush e ka iniciuar divorcin le ta komentojë, s’kam përse të kem seancë pajtimi për diçka që dikush do të ndërpresë marrëdhënien me mua, s’kam pse të lutem dhe të pres të pajtohem. Ishte justifikimi, për shkak të politikës nuk shkatërrohet familja”, tha Kryemadhi.
Megjithatë Kryemadhi nuk ndaloi së mbështeturi ish-bashkëshortin, i cili prej disa muajsh ndodhet në qeli. Sipas saj, Meta është arrestuar me urdhër të ish-ambasadores amerikane Yuri Kim.
“Rrëmbimi i Metës është bërë me urdhër të një gruaje që e ka patur inat personal që sot është askushi. Yuri Kim që i premtoi parajsën mbi tokë institucionit të drejtësisë, nga ana tjetër edhe Ramës i një dha mundësi për të treguar që hakmarrjen personale e kryen në mënyrë perfektë me institucionin e drejtësisë”, tha ajo.
Kryemadhi u shpreh se është përfshirë në fushatën zgjedhore ku do të mbështesë Metën.
“Jam përfshirë në fushatë për babanë e fëmijëve të mi. Ndoshta pak më shumë për shkak të fëmijëve, janë ata që janë me mua në çdo hap në çdo takim. I kam marr si dëshmitarë, duke pasur parasysh që stafi i ngushtë i Metës me paturpësinë më të madhe shkojnë dhe thonë mos dëgjoni Monikën se kërkon votën për PS. Kur në të vërtetë paaftësia e tyre për të shkuar derë më derë të njerëzit, është në një justifikim, të tillë. U bëj thirrje anëtarëve të PL të rinj e të vjetër, që më 11 maj të votojnë Metën, pavarësisht marrëdhënieve personale që kanë me mua ose me Metën”, tha Kryemadhi.
Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, Monika Kryemadhi nuk do të kandidojë për mandatin e radhës në Kuvend, ndërsa ish-bashkëshorti i saj Ilir Meta është futur në listat e hapura të PD-së./vizionplus.tv





