Subscribe

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një takim me gratë në Patos, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po detyron të rinjtë shqiptarë që të largohen nga vendi.

“Më bënte përshtypje dhe dëgjoja kryeministrin dje sesi thoshte le të ikin të rinjtë në Gjermani se do të paguhen atje më mirë. Kjo për mua është vepër penale, se të detyrosh të rinjtë dhe të rejat të largohen nga vendi i tyre, nga shtëpia e tyre, është jo vetëm një veprim antishqiptar, por është një veprim që duhet dënuar. Shpopullimi është një veprim antishqiptar. Se të largosh shqiptarët nga Shqipëria do të thotë të bësh një veprim antishqiptar dhe quhet një veprimtari e tillë.”

Teksa filste për programin politik, ajo theksoi se qëllimi kryesor i LSI-së është ripopullimi i Shqipërisë.

“Ne në programin tonë pikë kryesore kemi arsimimin dhe një arsimim cilësor, që fëmijët e shqiptarëve të jenë konkurrentë në tregun e punës. I gjithë qarku i Fierit sot, pjesa më e madhe, siç është Patosi, Roskoveci, edhe Kuçova e Mallakastra, pjesën kryesore kanë naftën. Lushnja e Divjaka kanë bujqësinë. Pjesa e bregdetit të Semanit është në zhvillim turistik, apo edhe blegtoria një pjesë tjetër. Por për sa i përket sektorit të naftës, janë më shumë se 4-5 qytete të cilat jetojnë me këtë sektor. Por sot fëmijët e të gjithë banorëve nuk i çojnë më për inxhinier nafte. Ose edhe kur janë inxhinierë nafte, ose janë të papunë, ose kanë ikur punojnë në Arabi Saudite për kompani të tjera. Kur ndërkohë këtu kompanitë që vijnë dhe punojnë e shfrytëzojnë puset e naftës në Shqipëri nga vendet e tjera i paguajnë me paga jashtëzakonisht të larta. Vijnë kompani kineze ku vijnë inxhinierët dhe punëtorët nga Kina, kur ndërkohë inxhinierët dhe punëtorët e naftëtarët tanë rrinë pa punë, apo i lënë me muaj e vite të tëra pa paguar. Për të mos vazhduar pastaj që çështja e naftës në qarkun e Fierit është një aspekt i cili ka të bëjë drejtpërsëdrejti me mirëqenien e qytetarëve. Qëllimi ynë kryesor është të ripopullojmë Shqipërinë, të rikthejmë fëmijët e shqiptarëve këtu, të rikthejmë rininë tonë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *