Subscribe

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka kërkuar transparencë për ndërtimin e spitalit të ri në Fier. Gjatë një takimi me gra në Patos, Kryemadhi ka theksuar se qeveria duhet të sqarojë nëse qytetarët do të paguajnë, apo jo kur të kurohen në këtë spital.

 

“Ajo që ne na bën përshtypje është papërgjegjshmëria dhe abuzimi. Shumë mirë që po ndërtohet një spital në Fier, sepse ka vërtetë nevojë Fieri për spital rajonal. Edhe spitali i qytetit do të ishte mirë të rikonstruktohej, të kishte mjekë, të kishte infermierë, të vendosnin të paktën xhamat, t’u shërbejë qytetarëve. Dhe do të ishte një ndihmesë shumë e madhe për ta. Shumë mirë që bëhet një spital i ri,. Por ka një problem. Ky spital i ri është koncesion, njerëzit do të shkojnë me para në këtë spital? Prandaj është shumë normale që ne të jemi shumë transparent dhe të ndershëm me qytetarët tanë.”

 

Nga ana tjetër, Kryemadhi ka premtuar se LSI do të fokusohet tek arsimi profesional, për t’i ndihmuar të rinjtë e kësaj zone të punësohen.

 

“Në shkollën profesionale industriale, kërkesat për të vajtur në teknik të mesëm të sektorit të naftës, janë shumë të vogla. Pse? Sepse e dinë që nuk do të kenë më vend pune. Pra krijimi i hapësirave për shkollat profesionale, të cilat po i çojnë drejt mbylljes, sepse normal nëse ti do të importosh punëtorë nga jashtë dhe nuk do të paguash inxhinierët e punëtorët e tu, shqiptarët, ata që janë rritur edhe e kanë identifikuar jetën e tyre me këtë sektor, normal që ata nuk do të shkojnë më në këto shkolla për t’u shkolluar, por do të largohen nga Shqipëria.”

 

Kryemadhi ka premtuar se kur LSI të vijë në pushtet do të bëjë gjithçka për t’u krijuar mundësi të rinjve të punojnë në Shqipëri për të ndaluar shpopullimin e vendit.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *