Kryetari i bashkisë së Mallakastrës Qerim Ismailaj pritet të shkarkohet si pasojë e ligjit të dekriminalizimit. Një vit pasi Partia Demokratike i kërkoi organit të akuzës të verifikojë te kaluarën e Ismailajt, prokuroria zyrtarisht njoftoi KQZ se kryetari i bashkisë së Mallakastrës ka qenë i dënuar me 3 vjet në burg në Greqi.

 

 “Referuar vendimit 9-11/2000 të Gjykatës së Përbërë nën Betim të Chios, i formës së prerë, rezulton se i akuzuari Qerim Ismailaj (në mungesë në gjykim) është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 3 vite burgim për veprën penale të “konfliktit”.”

 

Vetë Qerim Ismailaj në formularin e dekriminalizimit ka deklaruar se nuk është hetuar apo dënuar nga ndonjë gjykatë e huaj.

 

Vendimi nëse Qerim Ismailaj duhet të largohet nga detyra i takon komisionerit shtetëror për zgjedhjet Ilirjan Celibashi, por duke iu referuar akteve nënligjore dhe precedentëve të vendosur nga KQZ, mosdeklarimi i dënimit çon në shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të bashkisë së Mallakastrës.

 

Në 8 janarin e vitit 2020 Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme verifikimin e të kaluarës të kreut të bashkisë së Mallakastrës, pasi sipas opozitës në vitit 1999-2000 ai ka qenë i arrestuar në Greqi dhe më pas është dënuar.

Qerim Ismailaj nuk ishte i vetmi kryetar bashkie që PD denoncoi pas zgjedhjeve lokale të vitit 2019, ku ajo nuk mori pjesë.

 

PD ia doli të largojë nga detyra për shkak teëdekriminalizimit, Valdrin Pjetrin të zgjedhur në krye të bashkisë Shkodër dhe kryebashkiakun e Vorës Agim Kajmaku.

Këto bashki ende nuk kanë një kryetar prej dy vjetësh pasi presidenti i republikës Ilir Meta nuk ka dekretuar datën për t’u zhvilluar zgjedhjet e pjesshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *