Subscribe

Kuçova nuk do të shkojë në zgjedhje vendore të parakohshme. Me vendim të komisionerit të zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, Kreshnik Hajdarit nuk i hiqet mandati i kryebashkiakut

 

ILIRJAN CELIBASHI

KOMISIONERI SHTETEROR I ZGJEDHJEVE

 

Nuk ka një shkak ligjor që kryetarit të bashkisë Kuçovë t’i ndërpritet mandati.

 

Fati i Kreshnik Hajdarit u vu në diskutim pasi koalicioni “Bashkë Fitojmë” vërtetoi pretendimin se kryebashkiaku i Kuçovës gënjeu në formularin e dekriminalizimit. Dokumenti i sjellë nga drejtësia greke konfirmoi se Kreshnik Hajdari rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë për veprën kalim i paligjshëm i kufirit në fundin e viteve ‘90, por ai nuk e kishte deklaruar me argumentin se nuk ishte në dijeni të vendimit të gjykatës së Janinës. Për Ilirjan Celibashin edhe sikur kryebashkiaku i Kuçovës ta kishte deklaruar, atij nuk do t’i ndërpritej mandati pasi vepra e kryer nuk është subjekt i ligji të dekriminalizimit.

 

ILIRJAN CELIBASHI

KOMISIONERI SHTETEROR I ZGJEDHJEVE

 

Në vlerësimin tim qëndron bindja që një subjekt i cili ka detyrimin për shkak të angazhimit që kërkon të marrë në një zyrë publike të plotësojë një formular vetëdeklarimi, nuk ka detyrimin të përfshijë në të të dhëna të cilat nuk përbëjnë shkak për të kandiduar.

 

Vendimi u prit me revoltë nga Lefter Maliqi, kandidati i opozitës që humbi në vendoret e majit.

 

LEFTER MALIQI

KANDIDATI I OPOZITES PER BASHKINE KUÇOVE

 

Ky që bën ky këtu, bashkë me këta, është turpi më i madh i Shqipërisë. Diktaturë e pastër.

 

ILIRJAN CELIBASHI

KOMISIONERI SHTETEROR I ZGJEDHJEVE

 

Dil përjashta tani, dil përjashta.

 

Mbetet për tu parë nëse “Bashkë Fitojmë” do ta vazhdojë betejën ligjore në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *