Një gjykatë në Prishtinë, dënoi të hënën me katër vjet heqje lirie, një burrë nga qyteti i Gjilanit nën akuzën për pjesëmarrje në grup terrorist.

 

Agon Misini, u akuzua në fillim të muajit nëntor për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

 

Sipas akuzës ai “më 24 korrik të vitit 2015 me paramendim dhe me dashje, si dhe me përgatitje paraprake, ka lëshuar territorin e Republikës së Kosovës përmes vendkalimit kufitar Hani i Elezit, ku ka shkuar në territorin e Republikës së Maqedonisë, dhe ka kontaktuar me përkrahës të organizatës terroriste ISIS. Më pastaj në kohë të pa vërtetuar të muajit gusht 2015, me pasaportë të falsifikuar në emër të një personi nga Shkupi, përmes Greqisë, ka udhëtuar me autobus për në Stamboll, nga aty ka shkuar në kufi të shtetit të Sirisë”.

 

Sipas akuzës ai i ishte bashkuar grupit militant ISIS. Më 26 korrik të vitit 2017, është arrestuar nga forcat Kurde në Siri dhe atje ka qëndruar deri më 19 prill të vitit 2019.

 

Tre ditë para shpalljes së dënimit ai kishte pranuar fajësinë. Agon Misini është një nga 110 personat që u kthyen në prill të këtij viti në Kosovë në një operacion të qeverisë me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.

 

Nga të kthyerit, 32 janë gra, 74 fëmijë dhe 4 burra. Menjëherë pas kthimit burrat u dërguan në burg, ndërsa autoritetet filluan hetimet ndaj 32 grave. Tashmë disa prej tyre janë nën aktakuzë dhe të paktën njëra është dënuar me kusht.

 

Edhe më tej në zonat e konfliktit, sipas të dhënave që ka siguruar policia e Kosovës, janë 30 luftëtarë, 49 gra dhe tetë fëmijë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *