Subscribe

Kosova është në heshtje zgjedhore pas një fushate 30 ditore që nuk regjistroi incidente apo problematika, edhe pse kufizimet në fuqi për menaxhimin e pandemisë nuk u respektuan në cdo rast.

 

Për 38 komunat  janë certifikuar 166 kandidatë, ndërsa garat më të forta do të zhvillohen në komunat më të mëdha Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjakovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur shpërndarjen e materialit zgjedhor, përfshirë edhe fletëvotimet.

 

Mbi 3500 zyrtarë policorë, 35 gjyqtarë dhe 80 prokurorë janë vendosur në dispozicion për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor i cili do të zhvillohet në dy raunde, 17 tetor dhe 14 nentor.

 

Duke u bazuar në përvojën e zgjedhjeve të fundit lokale katër vjet më parë ku gjysma e komunave shkuan në balotazh, analistët parashikojnë që kjo mund të ndodhë sërish, të paktën në komunat e mëdha.

 

QENDRIM ARIFI

INICIATIVA PER PROGRES

 

“Duke u nisur nga proceset zgjedhore të mëhershme është po thuajse e pamundur që komunat e mëdha të kalojnë pa balotazh. Kjo pasi interesi i subjekteve politik është shumë i koncentruar në këto komuna dhe kemi shumë kandidatë. Ju e shihni se në komunat e mëdha janë shumë me interes për partitë politike, si nga aspekti i fushatës, ashtu edhe nga aspekti i propozimit të kandidatëve eminent të partisë. Pres që gjitha komunat e mëdha të kemi balotazh.”.

 

Ndërsa, analisti politik Gazmir Raci, e përjashton raundin e dytë zgjedhor për Prishtinën dhe Pejën.

 

GAZMIR RACI

ANALIST

 “Ajo çka kemi pa deri tash dhe në bazë të disponimit të qytetarëve, unë nuk pres balotazh në Prishtinë, por pres balotazh në Gjilan dhe Ferizaj. Në Gjakvë  edhe pse kandidati i AAK-së, zotëri Gjini ka një epërsi, por zonja Kusari-Lila mund ta qojë në balotazh. E kemi edhe Pejën që sipas sondazheve nuk do të ketë balotazh. Podujeva është një qytet që s’do të ketë balotazh, te Mitrovica është thënë fillimisht që mos të ketë balotazh, por sondazhet e fundit po tregojnë se Mitrovica do të shkojë në balotazh.”

 

Sipas Racit, edhe kandidatët e pavarur pritet të ndikojnë ndjeshëm rezultatin në këto zgjedhje.

 

“Natyrisht kandidatët e pavarur janë interesant. Kemi kandidat të pavarur në Han të Elezit, Kamenicë dhe Skenderaj. Te Skenderaj kohën e fundit kemi PDK-në që është duke bërë fuqishëm fushat, mund të rrezikojë kryetarin aktual për të quar në balotazh, pasi kemi krejt partinë që po koncentrohet te baza e saj fillestare”.

 

Në zgjedhjet lokale të kësaj të diele kanë të drejtën e votës rreth 1 milion e 800 mijë qytetarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *