Përveç mbajtjes me detyrim të maskave në publik, qeveria e Kosovës miratoi edhe vendimi për ndërmarrjen e masave për qarkullimin e personave fizik jashtë banesave të tyre në komunat në: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë.

“Ndalesa fillon të zbatohet nga data 13 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizik jashtë shtëpive/banesave të tyre në Komunat: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë. Përjashtim nga ky vendim janë rastet urgjente shëndetësore, nevoja për t’u kujdesur për të sëmurë dhe për persona me nevoja të veçanta, kërkimi i ndihmës nga institucione përkatëse në rastet e dhunës familjare, vdekja e anëtarit të familjes dhe përkujdesja ndaj kafshëve shtëpiake, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia”, thuhet në njoftim.

Në funksion të masave për parandalimin dhe luftimin e infeksionit me COVID-19, qeveria ka aprovuar edhe vendimin për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës që hyjnë në territorin e Kosovës. Ata duhet të dëshmojnë se nuk vuajnë nga COVID-19, me anë të vërtetimit që dëshmon testin RT-PCR negativ në Sars COV-2, jo më të vjetër se 72 orë nga koha kur paraqiten në kufirin e Republikës së Kosovës.

“Transportuesit që vijnë nga këto vende në Republikën e Kosovës, nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por janë të detyruar të respektojnë protokollet për transport ndërkombëtar. Edhe transporti i organizuar me autobusë ose linja te rregullta ndërkombëtare në transit nga këto vende, nuk duhet të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por ata nënshkruajnë deklaratën me të cilën obligohen të lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës brenda 5 orëve. Të liruar nga obligimi për prezantim të testit RT-PCR janë edhe diplomatët e huaj nga shtetet e lartë cekura që janë të akredituar në RKS, si edhe familjarët e tyre. Gjithashtu janë liruar nga prezantimi i testit RT-PCR të gjithë shtetasit e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilët kanë edhe shtetësinë e Republikës së Kosovës, nëse kanë vendbanim në Kosovë.”

 Në vazhdim të masave tjera, qeveria ka pezulluar veprimtarin e çerdheve publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

“Janë obliguar të gjitha qendrat tregtare në territorin e Republikës së Kosovës që veprimtarinë tregtare ta ushtrojnë prej orës 05:00 të mëngjesit deri në orën 21:00, duke zbatuar në përpikëri kushtet sipas Manualit për mbrojtje nga COVID-19, e mbi të gjitha mbajtjen e detyruar të maskave dhe krijimin e kushteve për distancë fizike të konsumatorëve. Vendimi i miratuar nga Qeveria e Kosovës pezullon punën e tregjeve publike të automjeteve dhe tregjet e kafshëve, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pezullon ceremonitë fetare; si dhe ndalon grumbullimin e më shumë se 5 personave në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme.”

Po ashtu, edhe qytetarët mbi moshën 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike mund të dalin jashtë në ambiente publike vetëm në orët e hershme të mëngjesit nga orës 05:00 deri në orën 10:00 dhe në orët e mbrëmjes nga ora 18:00 deri në orën 21:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *