Përfaqësuesja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka deklaruar sot se është e gatshme ta ndërmjetësojë një takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, pasi autoritetet kosovare mundësuan lehtësira të përkohshme për komunitetin serb në Ligjin për të huajt.
“Marrëveshja e sotme për regjistrimin civil dhe Ligjin për të Huajt shënon një hap të rëndësishëm përpara në dobi të të gjithë njerëzve në Kosovë. Është thelbësore të sigurohet vazhdimësia në ofrimin e shërbimeve publike. Faleminderit të gjithëve që u angazhuan në mënyrë konstruktive për ta bërë këtë të mundur. Duke ecur përpara, zbatimi i marrëveshjeve të kaluara mbetet jetik. Ky progres krijon një moment të ri për dialogun Beograd-Prishtinë dhe unë jam gati të organizoj një takim të nivelit të lartë së shpejti.”
Kosova synon t’i shkrijë institucionet paralele serbe të shëndetësisë dhe arsimit në sistemin e vet, përfundimisht përmes këtij ligji që do të fillojë të zbatohet plotësisht nga e diela.
Por, Qeveria Kurti u pajtua pas një takimi këtë të shtunë me të dërguarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen, që pjesëtarët e komunitetit serb pa dokumente kosovare të kenë mundësi të marrin leje të përkohshme qëndrimi prej 12 muajsh, si dhe të kenë përkohësisht si mjet identifikimi letërnjoftimet e lëshuara nga autoritetet serbe.
“Ne këmbëngulëm në konsultime të strukturuara gjatë gjithë procesit me përfaqësuesit e komunitetit të Kosovës për të siguruar mbështetjen e tyre. Ky proces duhet të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me mua si përfaqësues i BE-së për dialogun dhe me procesin që unë ndjek në kuadër të tij. Në këtë kontekst, e konsideruam si prioritet kyç që Qeveria e Kosovës të sigurojë leje qëndrimi për punëtorët dhe studentët e përfshirë për një periudhë fillestare prej 12 muajsh, me qëllim parandalimin e çdo ndërprerjeje të shërbimeve shëndetësore dhe arsimore. Për të siguruar mosndërprerjen e shërbimeve, i kërkuam Kosovës të lejojë përdorimin e letërnjoftimeve të lëshuara jo më vonë se 15 mars 2026 nga Serbia për ata që jetojnë në Kosovë, si mjet identifikimi për proceset administrative”, Peter Sorensen.
“Dua të potencoj që nuk është interesi i Republikës së Kosovës që zbatimi i ligjit për të huajt dhe i atij për veturat të prodhojë pengesa në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët. Por po ashtu dua të theksoj fuqishëm që njësoj është qëndrim i Republikës së Kosovës, që në Kosovë nuk duhet dhe nuk mund të ketë mekanizma ilegalë të cilët mirëmbahen e financohen nga një shtet jo miqësor e që nuk e njeh Republikën e Kosovës. Në këtë drejtim, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënvizuar rëndësinë e inkorporimit të plotë të sistemit të edukimit dhe atij shëndetësor në komunat me shumicë serbe brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës.”, kryeministri Albin Kurti.
Vitet e fundit, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një sërë rundesh të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por takime të nivelit të lartë politik nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023.
Në atë kohë, raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë u zhvillua pak ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur një grup serbësh vranë një polic të Kosovës. Prishtina fajëson Beogradin për këtë sulm, por Serbia mohon se ka gisht në të.
/vizionplus.tv





