Kosova feston 17-vjetorin e pavarësisë.
Ceremonia shtetërore ka nisur me ngritjen e flamurit të Republikës së Kosovës, ku morën pjesë presidentja e vendit Vjosa Osmani , kryeministri Albin Kurti si dhe anëtarë të kabinetit qeveritar.
Osmani falënderoi të gjithë ata që kontribuuan për këtë ditë.
“Është një ditë kur ne kujtojmë sakrificën shekullore të cilën e ka bërë populli ynë në mënyrë që ta gëzojmë këtë ditë. Është ditë kur investojmë sukseset që ka arritur republika jonë duke forcuar sovranitetin, subjektitetin ndërkombëtar, duke forcuar sundimin e ligjit dhe demokracinë. U themi faleminderit nga zemra. Duke filluar nga arkitekti i pavarësisë tonë presidenti historik Rugova, e komandanti legjendar Adem Jashari e deri tek secili qytetar”, tha Osmani.
Ndërkohë qeveria mbajti një mbledhje solemne. Në fjalën e tij kryeministri Albin Kurti shprehu mirënjohjen dhe nderime për ata qe u flijuan për lirinë.
“Ne sot nderojmë të gjithë ata që sakrifikuan e u flijuan për lirinë tonë, nga heronjtë dëshmorët e martirët, tek invalidët e veteranët e UÇK-së, te veprimtarët e qytetarët që qëndruan përballë sfidave. Të gjithëve u jemi mirënjohës. Liria që kemi sakrifikuar kaq shumë, kërkon demokraci që të dëgjohet zëri i popullit. Demokracia kërkon institucione të forta, mbrojtje të ligjit, e që garantojnë se pushteti u shërben qytetarëve. Republika jonë sot është më e fortë se kurrë më parë, jo vetëm sepse kemi investuar në siguri e mbrojtje, por kemi forcuar institucionet demokratike, e kemi normalizuar funksionimin e tyre. Ekonomia po rritet shpejt e qëndrueshëm”, tha Kurti.
Organizimi vijoi me nderimet në monumentin e të pagjeturve dhe memorialin e fëmijëve të vrarë.
Homazhe u bënë më pas te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova si dhe te varri i veprimtarit Adem Demaci.
Një sërë organizimesh, përfshirë edhe parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, priten gjatë ditës për nder të 17-vjetorit të pavarësisë.
Më 17 shkurt 2008 në një mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendi njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë dialogu.
Edhe pse u kundërshtua nga Serbia e Rusia, vendi deklaroi këtë ditë të shënuar, akt ky që mori mbështetje nga shtete të rëndësishme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kosova sapo ka dalë nga procesi zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja.
Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Kurti, por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar qeverinë e vetme./vizionplus.tv





