Korça edhe gjatë këtij sezoni turistik vijon të jetë e rezervuar, kryesisht me turistë të huaj të cilët vijnë nga vende të ndryshme të Evropës.
Sipas operatorëve turistike e gjithë kjo ka ardhur falë një bashkëpunimi të agjencive turistike shqiptare me ato të huaja.
Operatorët turistike bëjnë të ditur se edhe për muajt korrik e gusht rezervimet janë të larta.
Korça dhe fshatrat e kësaj bashkie janë të kërkuara nga turistët e huaj për klimën që ofron zona, kulinarin e pasur tradicionale, çmimet dhe mikpritjen.
“Ne vijmë nga Sllovenia, po bëjmë një udhëtim në Shqipëri, qëndruam një natë në Ohër, një natë erdhëm në Korçë. Këtu gjithçka duket bukur, natyra fantastike, çmimet shumë të përballueshme dhe ushqimi i shijshëm.”
“Hera e parë në Shqipëri, njerëzit shumë mikpritës, na bëjnë të ndihemi mirë. Malet natyra dhe liqeni ishte kaq bukur. Duket gjithçka mire.”
“Vij nga Holanda, është hera e parë në Shqipëri. Me pëlqejnë njerëzit, janë shumë mikpritës. Çmimet duken të përballueshme, ndaj me siguri do rikthehem përsëri.”
Në 6 muajt e këtij viti Korça dhe fshatrat turistike të Voskopojës, Dardhës e Boboshticës e kanë vizituar me tepër se 80.000 turistë të huaj, ku shumica vijnë nga Evropa Veriore, të cilët kanë shfaqur interes të shtuar për historinë e trashëgiminë e kulturës.





