Korça dhe fshatrat e saj turistikë si Voskopoja, Vithkuqi, Dardha dhe Boboshtica, edhe këtë vit po tërheqin një numër të lartë turistësh të huaj. Ndryshe nga sezoni i kaluar, këtë vit vizitorët po zgjasin më shumë qëndrimin e tyre në juglindje të vendit.
Më të shumtë janë holandezët dhe francezët.
“Një vend i bukur, me njerëz të bukur. Dielli shkëlqen. Kam qenë disa herë këtu sepse më pëlqen shumë. Është qytet i pastër, me ndërtesa tradicionale, ushqim të shijshëm dhe ndjesi të këndshme. Më bën të ndihem e sigurt.”
“Më pëlqen shumë ushqimi këtu. Gjithçka është e përkryer. Nuk kisha qenë më parë dhe jam kënaqur shumë në Korçë.”
“Qëndruam për rreth dy ditë në Korçë. Pamë pazarin e vjetër, kishte muzikë në rrugë dhe atmosferë festive. Më pëlqeu shumë bulevardi, muzetë dhe ndërtesat e vjetra. Arkitektura është e veçantë.”
Sipas operatorëve turistikë, këtë vit është shënuar një rritje me 10 përqind e rezervimeve nga turistët e huaj, ndërsa mesatarja e qëndrimit ka arritur deri në tre netë.





