Lideri i opozitës, Sali Berisha, është pozicionuar kundër aksionit të policisë në kampin ku janë strehuar muxhahedinët. Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi policinë se ushtroi dhunë ndaj muxhahedinëve, duke theksuar se janë shkelur konventat ndërkombëtare për të drejtat e refugjatëve.
SALI BERISHA
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe, dhunën e egër fizike e cila ka pasur pasojë deri më tani 1 të vdekur me plagë të shumta dhe mbi 40 të plagosur, një pjesë e të cilëve janë në spitalet e vendit.
Berisha pranoi se akuzat e formuluara nga prokuroria kërkonin hetim, por sipas tij aksioni nuk duhej të zhvillohej në këtë mënyrë.
“Nuk përjashtohen mundësitë që brenda muxhahedinëve të ketë dhe të infiltruar, terroristë, të deleguar apo të dërguar të regjimit të Ajatollahve, por PD nuk pranon kurrë ndëshkime kolektive dhe këtë që ka ndodhur sot, një masakër pothuajse e vërtetë në kampin e Manzës.”
Lideri i opozitës i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar, të hetojë ngjarjen në kampin e Manzës.
“I bëj thirrje OKB-së, Kongresit të SHBA, i bëj thirrje Aleancës së Atlantikut të Veriut, institucioneve që merren me refugjatët, të ndërmarrin një hetim urgjent ndërkombëtar për këtë ngjarje tragjike të turpshme, plotësisht të shmangshme. “
Sipas Berishës, kjo është një ngjarje që turpëron vendin.





