Policia e Shtetit po shton kontrollet ndaj territorit për të parandaluar kultivimin e bimëve narkotike.

Aksioni i radhës është zhvilluar në Krujë. Nga kontrolli i ushtruar me dron dhe nga toka nga forcat e ndërhyrjes së shpejtë në zonat e Krastës, Niklës dhe Barkaneshit, u zbuluan dhe u shkatërruan, sipas policisë 59 depozita të ndërtuara me plastmasë, të cilat shërbenin për të grumbulluar ujë, me qëllim kultivimin e bimëve narkotike.

Gjithashtu u gjetën dhe 41 vende që ishin hapur në zona të pyllëzuara dhe malore të Krujës, me qëllim kultivimin e bimëve narkotike. Ndërkohë që nuk ka asnjë të arrestuar deri tani.

Para pak ditësh, policia rrethoi këto zona në Krujë për parandalimin e kultivimit të drogës.

Aksionet u zhvilluan në sera dhe tunele me qëllim asgjësimin e rrënjëve të kanabisit.

Në fakt kjo zonë shpesh herë ka qenë në qendër të vëmendjes së autoriteteve pasi janë sekuestruar sasi të ndryshme të kanabisit.

Gjatë dy muajve të fundit ka patur një numër të madh zjarrvëniesh të qëllimshme në të gjithë rrethin e sidomos në njësinë administrative Nikël, gjë që sipas policisë është bërë me qëllim kultivimin e lëndëve narkotike.

Vetëm pak ditë më parë gjatë raportimit në kuvend, prokurori I përgjithshëm foli për rritjen e ndjeshme të kanabisit sidomos në Krujë, Vlorë dhe Gjirokastër

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *