Takimi i paligjshëm i Laert Haxhiut në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë me një modele dhe gjetja e disa celuarëve ka aktivizuar shërbimet e burgjeve të bëjnë kontroll tërësor të ambienteve të ekzekutimit të vendimeve penale.
Aksioni blic është shtrirë në mbarë burgjet, ato të sigurisë së lartë e të ulët, me qëllim gjetjen e sendeve të paligjshme që të dënuarit apo të paraburgosurit mund të kenë siguruar.
Në sitë janë vënë edhe regjistrat e hyrje-daljeve në burgje për të parë nëse takimet speciale janë me anëtarë të familjes apo jo.
Zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve thotë se deri në këtë moment nuk është vërejtur asgjë e paligjshme dhe nuk janë konstatuar takime të të burgosurve me persona që nuk janë anëtarë të familjës.
Por përmes burimesh Vizion Plus mëson se rasti i Drenovës nuk është i vetmi. Fenomeni është përsëritur edhe në burgun e Reçit.
Pak kohë më parë, modelja që vizitoi në burg Laert Haxhiun jo vetëm që nuk i përmbahej kritereve ligjore, por në regjistër kishte deklaruar se do të takohej me një tjetër person të dënuar.
Kjo çoi në shkarkimin e drejtorit të burgut të Drenovës, Fatjon Fasho dhe në pezullimin e vartësit të tij, Sokol Kacoli. Për të dy, por edhe zyrtarë të tjerë të këtij institucioni është kërkuar hetim./vizionplus.tv





