Kryeministri Rama dhe ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu zhvilluan një takim me prindërit në Fier, në kuadër të fushatës për ndërgjegjësimin mbi ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët.
Prindërit shprehën shqetësimet e tyre kundrejt platformave online teksa shtruan dhe kërkesat per bashkëpunim me ministrinë.
“Kërkojmë një bashkëpunim mjaft të mirë, të vihen komisione grupe pune nga të gjitha fushat për jetën e fëmijjëve tanë, sepse e ndihemi të frikësuar. Kërkojmë që të rriten aktivitetet sensibilizuese. Nëse do ishte e mundur të bëhej një emergjencë për ta bërë më para sepse nuk e di nëse kemi kohë mjaftueshëm deri vitin tjetër. Pra, të mos mendojmë si mësues apo ju si ministri, por të mendojmë si prindër. Ndihemi të rrezikuar për jetën e fëmijëve tanë”, tha Klodiana Tosuni, kryetare e bordit të prindërve në shkollën “Andon Xoxa”.
“Problemi është si ta kthejmë këtë 8 orësh të cilën fëmijët e përdorin para telefonit, në një 8 orësh të shëndetshëm për ta. Që mund të merren me aktivitete sportive ose të tjera më të shëndetshme. Krijimi i ambjenteve sportive mendoj se luan një rol të rëndësishëm.”
Duke u bazuar në kërkesat e prindërve, Kryeministri theksoi shqetësimet lidhur me ndikimin e këtyre platformave tek fëmijët.
“Ndalimi i “Tik Tok” dhe “Snapchat” nuk është zgjidhja, por është një nga shumë elementët e zgjidhjes, sepse asgjë nga këto nuk e heq dot përgjegjësinë dhe peshën që ka ndërveprimi mes të rriturve në familje dhe fëmijëve. Pastaj ndërveprimi mes familjes dhe shkollës dhe mes shkollës dhe familjes, dhe rruga nga shkolla në shtëpi dhe nga shtëpia në shkollë, që janë të gjitha këto që kanë rëndësi”, tha kryeministri.
Ndërkohë Rama u ndal edhe në projektin mbi sigurinë e nxënësve në shkolla.
“Ne i kemi vënë oficerët e sigurisë, e kemi shtuar numrin e oficerëve të sigurisë. Patjetër që duhet shtuar akoma, nuk diskutohet, patjetër që mes oficerëve të sigurisë ka ndër ata që e bëjnë punën shumë mirë, ka ndër ata që nuk e bëjnë punën shumë mirë, nuk diskutohen të gjitha këto, por bindja ime është që në këtë botë ku teknologjia është bërë oportunitet dhe jo vetëm problem, me teknologjinë ne mund të zgjidhim gjëra që nuk do të mund t’i zgjidhnim kurrë deri dje dhe faktikisht ne brenda dhjetorit, kemi një vit që merremi me këtë projekt, do të mbyllim marrëveshjen përfundimtare me qeverinë e Emirateve të Bashkuara për një program të sigurisë në shkollë që është një nga sukseset më të bukura të teknologjisë dhe që është një rast suksesi i jashtëzakonshëm në atë shtet, me vendosjen nën monitorim digjital të shkollës në çdo klasë, në çdo korridor, në hyrje e në dalje”, tha kryeministri.
Më herët, konsultimet mbi sigurinë në shkolla janë zhvilluar në shkollën “Sami Frashëri”, ndërsa turi i takimeve me prindër do të vijojë dhe në institucione të tjera arsimore./vizionplus.tv





