Shtëpia e fëmijës “Zyber Allulli” dhe “Inspektoriati Shtetëror” do të kenë së shpejti godina tërësisht të reja.
I pranishëm në konkursin ndërkombëtar për projektet fituese, Kryeministri Edi Rama u shpreh se këto institucione meritojnë më shumë kushte, në veçanti shtëpia e fëmijës.
“Sot, me këtë projekt, ne i hapim rrugë dy drejtimeve të reja për të ardhmen, duke krijuar kushte tërësisht të reja për fëmijët që janë në duart e solidaritetit të shoqërisë, jetimët, dhe njëkohësisht edhe për korpusin e ri të inspektorateve. Me këtë rast dua të falënderoj këtu kryeinspektorin, që për 10 vite rresht drejtoi një institucion që lindi vërtetë nga hiçi dhe u krijua nga e para dhe që sot është gati të bëjë një hop tjetër”, tha Rama.
Kreu i qeverisë listoi dhe planet e qeverisë për rehabilitimin e disa godinave të tjera në pronësi të shtetit.
“Falë këtij procesi do të kemi më në fund, pas vitesh, një stadium të ri të përmasave europiane. Po shkruajmë së bashku me këtë skuadër të jashtëzakonshme arkitektësh Bibliotekën e re Kombëtare, një mjedis i shumë nevojshëm prej vitesh, dhe një tjetër vepër e spikatur në historinë, jo thjeshtë të vendit tonë, por në historinë e arkitekturës bashkëkohore. Do të kemi po ashtu një kompleks të ri zyrash për administratën, për një numër të konsiderueshëm institucionesh; do të kemi pallatin e ri të sportit”, shpreher Kryeministri.
Garuesve, Rama u riktheksoi se Shqipëria është një vend mundësish, pasi çdo ditë mundësohen projekte të reja.
“U them të gjithë atyre që do humbin se një fitues do dalë, që këtu në Shqipëri nuk ka të humbur në këto konkurse, sepse siç e dinë mirë, shumë prej atyre që kanë humbur konkurse, edhe humbja është prezantim me vendin; pastaj ky vend nuk i lëshon ata që vijnë, po përkundrazi, i angazhon dhe u jep mundësi që të angazhohen në projekte të tjera.”
Shefi i ekzekutivit nënvizoi se Shqipëria tashmë është bërë një pikë referimi në botën e arkitekturës bashkëkohore.
/vizionplus.tv





