Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Greke, Ambasada e Greqisë në Shqipëri organizoi një konkurs fotografie.
40 pjesëmarrës shprehën përmes fotografisë lidhjet kulturore dhe shpirtërore mes dy vendeve .
Çmimet iu dorëzuan fituesve nga Ambasadorja e Greqisë në Tiranë, znj. Konstandina Kamitsi, nga drejtuesi i Zyrës për Shqipërinë në Fondacionin Grek të Librit dhe Kulturës, z. Emilio Mustaka, dhe nga drejtuesi i Zyrës së Diplomacisë Publike në Ambasadën e Greqisë në Tiranë, z. George Angeletopoulos.
Fotografia e Bruna Strati që paraqet Teatrin e Kukullave ne Tiranë, fitoi çmimin e parë, një udhëtim në Athinë në ditën e Festës Kombëtare te Greqisë.
“Gjyshi im nga babai është grek dhe origjina nuk mund të mohohet. Jam e lindur dhe rritur në Shqipëri, por rrënjët e mia janë greke dhe për këtë jam krenare. Njeriu e gjen veten dhe kur nuk është brenda vendit që do, kudo që të jetë e shpreh dashurinë dhe respektin ndaj origjinës”, tha Bruna Strati, fituesja e vendit të parë
Llazar Marolli i cili solli fotografinë nga “Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi” në Shkodër, fitoi çmimin e dytë, ndërsa fotografia e Kinemasë Majestik Imperial ne Korçë rrëmbeu çmimin e tretë.
“Gjithmonë kam qenë dashamirës dhe ndjekës i kulturës greke që bëhet në qershor dhe në aktivitete të tjera”, deklaroi Llazar Marolli.
Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi rëndësinë e këtij konkursi.
“Ky konkurs u shpall më 7 janar të këtij viti dhe përfundoi më 7 shkurt, me pjesëmarrjen e 40 miqve të ambasadës. Sot do të doja t’u uroja mirëseardhjen fituesve. Dëshiroj gjithashtu të theksoj se e kishim mjaft të vështirë të përzgjidhnim çmimet fituese”, u shpreh ambasadorja e Greqisë në Shqipëri.
Konkursi shërbeu si një mundësi e shkëlqyer për të promovuar dialogun kulturor dhe për të nxitur ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët mes Shqipërisë dhe Greqisë. Përmes objektivit të tyre, pjesëmarrësit arritën të sjellin në vëmendje detaje të rëndësishme që lidhin dy kulturat.
/vizionplus.tv





