Berisha sulmon mazhorancën pas miratimit të hartës territoriale: Mandatet e krimit u hodhën si shigjeta kundër qytetarëve të 15 bashkive!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për mediat ka folur për miratimin e reformës së re administrativo-territoriale në Kuvend, duke akuzuar mazhorancën se ka shkelur interesat e qytetarëve të 15 bashkive që do të shkrihen.
Berisha e cilësoi votimin një akt kundër qytetarëve, ndërsa akuzoi deputetët socialistë se votuan për asgjësimin e këtyre njësive vendore.
“Mbrëmë pas mesnate, mandatet e krimit u hodhën si shigjeta kundër qytetarëve të 15 bashkive të vendit. Deputetët e partisë së krimit, në unison, shkelmuan interesat e zgjedhësve të tyre”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së theksoi se reforma territoriale është një nga reformat më të rëndësishme për komunitetet, pasi lidhet drejtpërdrejt me vetëqeverisjen vendore, zhvillimin e territorit dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e historike.
Sipas Berishës, bashkitë kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e zonave dhe në mbrojtjen e identitetit të komuniteteve.
Reforma e re administrativo-territoriale u miratua në Kuvend me 85 vota pro dhe parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46. Ndryshimet pritet të hyjnë në fuqi pas zgjedhjeve të ardhshme vendore, të planifikuara për pranverën e vitit 2027.




