Përleshjet në kufirin mes Tajlandës dhe Kamboxhias kanë hyrë në ditën e tretë, me tensione që po rriten dhe vatra të reja dhune që janë shfaqur në zona të ndryshme. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për provokime dhe kërkojnë mbështetje ndërkombëtare, duke pretenduar se kanë vepruar në vetëmbrojtje, ndërsa bëjnë thirrje për armëpushim dhe nisje të negociatave.
Sipas agjencisë Reuters, të paktën 30 persona kanë humbur jetën deri tani, ndërsa më shumë se 130 mijë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, në atë që po konsiderohet si përplasja më e rëndë mes dy vendeve që nga vitit 2012.
Një përplasje e re ndodhi të shtunën në mëngjes në provincën bregdetare të Trat-it, mbi 100 kilometra larg zonave kryesore të konfliktit, duke zgjeruar hartën e dhunës. Marina tajlandeze konfirmoi incidentin, ndërkohë që bilanci zyrtar flet për 19 ushtarë tajlandezë të vrarë. Nga ana tjetër, zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes së Kamboxhias, Maly Socheata, raportoi vdekjen e pesë ushtarëve dhe tetë civilëve kamboxhianë.
Në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ambasadori tajlandez akuzoi Kamboxhian për vendosje minash brenda territorit tajlandez, çka ka shkaktuar plagosjen e ushtarëve tajlandezë. Ai shtoi se sulmet kamboxhiane nisën të enjten në mëngjes. Kamboxhia i ka mohuar akuzat dhe ka fajësuar Tajlandën për agresion.
“Tajlanda i bën thirrje Kamboxhias të ndalojë menjëherë të gjitha aktet armiqësore dhe të rikthehet në dialog me mirëbesim,” deklaroi përfaqësuesi tajlandez në OKB, Cherdchai Chaivaivid.
Konflikti kufitar rrënjët i ka në një mosmarrëveshje të vjetër për pronësinë e tempujve hindu Ta Moan Thom dhe Preah Vihear, të ndërtuar në shekullin XI. Megjithëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha Preah Vihearin Kamboxhias në vitin 1962, tensionet u ringjallën në vitin 2008 kur Phnom Pen përpiqej të regjistronte tempullin në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Kryeministri në detyrë i Tajlandës, Phumtham Wechayachai, shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin e dhunës dhe paralajmëroi se situata mund të dalë jashtë kontrollit. Përshkallëzimi i fundit u nxit nga një incident në fund të majit, ku një ushtar kamboxhian humbi jetën në një përplasje të armatosur. Si pasojë, të dyja palët kanë vendosur trupa shtesë në kufi, ndërsa kriza diplomatike ka tronditur edhe qëndrueshmërinë e qeverisë tajlandeze.
/vizionplus.tv





