Ka nisur në Mynih të Gjermanisë, konferenca vjetore ku marrin pjesë elita botërore e sigurisë dhe mbrojtjes me rreth 60 krerë shtetesh dhe 150 ministra dhe personalitete ndërkombëtare.
Pjesëmarrësit kryesorë në konferencë përfshijnë zëvendëspresidentin e SHBA JD Vance, sekretarin amerikan të shtetit Rubio, presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, liderët e bllokut europian, shefin e NATO-s si dhe përfaqësues nga Kina.
Ndër çështjet kryesore që do të jenë në qendër të konferencës do të jenë një marrëveshje paqeje për luftën Rusi-Ukrainë si dhe rritja e shpenzimeve dhe kapaciteteve mbrojtëse të vendeve anëtare të NATOS.
Zëvendës presidenti amerikan Vance do të takohet veçmas me presidentin ukrainas Zelensky gjatë ditës pasi Donald Trump njoftoi të enjten telefonatën me Putin dhe nisjen e bisedimeve të paqes.
Lëvizja e Trump nxiti frikën për lënien jashtë këtyre negociatave të vetë Kievit por edhe vendeve europiane të cilat kanë kërkuar herë pas here të përfshihen.
Megjithatë Vance ka paralajmëruar më shumë sanksione për Moskën në rast që ajo nuk bie dakord për negociata të mira./vizionplus.tv





