Kombëtarja shqiptare do të luaj këtë të enjte ndeshjen e katërt kualifikuese përballë Polonisë, sfidë e vlefshme për Kampionatin Botëror “Katar 2022”. Skuadra ka kryer seancën e fundit stërvitore mbrëmjen e të mërkurës në Varshavë dhe është gati për takimin nesër. Kështu është shprehur trajneri Edi Reja në konferencën për shtyp në pragë të sfidës. Tekniku italian tha se do të hyjnë në fushë si të barabartë dhe se asgjë s’është e pamundur.

 

“E dimë që ndeshja nuk është e lehtë. Edhe si traditë, kjo është një skuadër e cila nuk mundet në shtëpi prej 7 vitesh, ndaj nuk është e lehtë se ka vlera. Duhet të bëjmë ndeshje të kujdesshme, por pa harruar fazën ofensive, duhet bërë presing në fazën ofensive, nëse duam t’i krijojmë probleme. Nuk duhet të gabojmë asgjë se me lojtarët që ka përpara, duhet të ndërtojmë një barrierë dhe t’u japim sa më pak mundësi që të arrijnë në konkluzion.”

 

Krahë trajnerit ishte dhe kapiteni i skuadrës, Etrit Berisha i cili tha se skuadra i ka të gjithë mundësitë për të surprizuar.

 

“E dimë që në shtëpi nuk ka humbur për një kohë të gjatë, por çdo ditë është një ditë e re e fatit dhe mundësitë janë gjithmonë të reja. Mendoj se kemi mundësitë të surprizojmë Poloninë, por duhet të kemi vetëbesim dhe pastaj gjërat e tjera t’i bëjmë me përpikmëri taktike, besoj që raste do të kemi dhe shpresoj që të bëjmë rezultat pozitiv që po fituam nesër, do të na japë mundësitë të vazhdojmë garat. Mund të bëjmë surprizë siç kemi bërë edhe më herët.”

 

Poloni – Shqipëri luhet këtë të enjte në orën 20:45 në Varshavë të Polonisë, ndërsa më vonë kuqezinjtë kthehen në shtëpi për dy takimet e radhës. Fillimisht, ndaj Hungarisë më 5 shtator, dhe San Marinos më 8 shtator në stadiumin “Elbasan Arena”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *