Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet në mjediset e reja të godinës “Liria” në Qytetin Studenti, e cila do të funksionojë përkohësisht si Kolegji i Europës, si dhe vizitoi konviktin e transformuar, me kushte bashkëkohore, për studentët.
“Kemi bërë një kolegj me standarde të BE-së në kohë rekord. Sigurisht, kjo është një seli e përkohshme e kolegjit, përpara se të vijë ndërtesa ultramoderne, për të cilën edhe Kryeministri, gjithë qeveria, po mobilizohet për ta përgatitur. Por, besoj se 2-3 vitet e para do operojmë këtu”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku iu bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që t’u ofrojnë të njëjtën mikpritjen edhe studentëve të Kolegjit të Europës, nga 21 shtete të ndryshme, që do të vijnë në Shqipëri.
“Studentëve duam t’u ofrojmë të njëjtën mikpritje që u kemi ofruar të gjithë turistëve, por këta janë ‘turistë’ me kohë më të gjatë. Vijnë nga 21 shtete të ndryshme dhe duam që të kenë një shije të Tiranës, jo si turistë të përkohshëm, që shkojnë e vijnë, por si rezidentë. Konviktet janë të njëjta me ato që ku do jetojnë edhe studentët tanë. Për mbi 600 studentë përfshirë, edhe 32 të Kolegjit të Europës, do kemi të njëjtin trajtim në konvikte të reja, që janë bërë me kontributin e KfW”, tha ai.
Kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë do të ofrojë një program akademik me standarde evropiane për studentët dhe profesionistët nga Shqipëria, rajoni i Ballkanit Perëndimor, BE dhe më gjerë. /vizionplus.tv





