Subscribe

Nga një janari i vitit të ardhshëm shërbimi i kolaudimit të makinave do t’i kalojë shtetit. Do të jetë Drejtoria e Shërbimit dhe Transportit Rrugor, e cila do të ofrojë këtë shërbim, pasi 31 dhjetori shënon përfundimin e koncesionit nga kompania SGS Albania.

 

Vizion Plus ka siguruar urdhrin e ministres se Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila i drejtohet kompanisë koncesionare, ku kërkon prej saj dorëzimin e mjediseve dhe infrastrukturës përkatëse.

 

Ministria ka ngarkuar Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor që të marrë në dorëzim asetet, që janë qendrat e kontrollit teknik si dhe pajisjet. Sipas urdhrit, kërkohet që transferimi të kryhet brenda datës 31 dhjetor 2020.

 

Kontrata koncesionare përfundoi afatin 10-vjeçar në shtator të vitit të kaluar, por qeveria vendosi ta shtyjë edhe me 16 muaj të tjerë vlefshmërinë e saj duke bërë që afatin final të jetë 31 dhjetori i këtij viti. Por çfarë do të ndodhë më pas? Burime i thanë Vizion Plus se nuk pritet të ketë një koncesion të ri për këtë shërbim të paktën në afatshkurtër.

 

Ndaj do të jetë Drejtoria e Shërbimit dhe Transportit Rrugore si pronare e kësaj infrastrukure që do të ofrojë kolaudimin për qytetarët.

 

Por a do të aplikojë shteti të njëjtën tarifë kolaudimi si kompania private? Burime nga grupet e punës që po merren me këtë procedurë kanë hedhur idenë e reduktimit të saj, por mbetet që vendimi final të merret nga Ministria e Infrastrukturës. Më herët, ministria është shprehur se do të liberalizojë këtë shërbim, duke licnesuar disa kompani. Por ky proces duket se do të shtyhet në kohë dhe qeveria. e dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit, do të vendosë mbi ecurinë e këtij tregu, i cili qarkullon në vit rreth 8 mln euro.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *