Marrëveshja mes demokratëve e socialistëve për kodin zgjedhor dhe mbylljen e 1/3 së listës së kandidatëve për deputet do të goditet në Gjykatën Kushtetuese nga një grup partish te vogla të cilat mbështesin hapjen e plotë të listës së deputetëve.
Grupi i demokratëve që drejtohen nga Enkelejd Alibeaj, Dashamir Shehi e “Nisma Thurrje” kanë rënë dakord të bashkohen për t’i kërkuar gjykatës kushtetuese rrëzimin e ndryshimeve në kod. Juristi Rezart Kthupi shpjegon se qëllimi është që të krijohet një front i përbashkët në këtë betejë ligjore.
“Pjesa më e madhe e atyre që kanë luftuar apo kanë kërkuar lista të hapura janë o shoqëria civile o parti të reja e të vogla ose parti që knaë pasur qëllimin për të demokratizuar jetën politike. Në këto kushte i gjithë ky grupim do të arrijë në një formulë bashkimi që në këtë betejë në gjykatën kushtetuese të shkojmë bashkarisht”, tha juristi Rezart Kthupi.
Kthupi sqaron se modeli i përzgjedhur këtë herë me 1/3 e listës së kandidatëve që nuk i nënshtrohet votës së qytetarëve, bën që tek partitë e vogla vota e qytetarëve të mos ketë asnjë ndikim. Në një kohë që sipas Kthupit vendimi i Gjykatës Kushtetuese në vitin 2021 edhe pse e la në fuqi herësin duke iu njohur të drejtën partive të mbrojnë një pjesë të kandidatëve, nga ana tjetër iu njohu të drejtën zgjedhësve që të votojnë kandidatin që duan.
“Do të thotë të ruhej si interesi i partive politike për të promovuar një sërë kandidatësh apo një sërë personazhesh ashtu edhe interesi i qytetarëve që nëpërmjet votës parapëlqyese të zgjidhnin deputetët. Ne gjykojmë që ligji që hyri në fuqi e shuan ose e zhbën këtë parim proporcionaliteti ndërmjet këtyre dy elementëve dhe ky është shkaku kryesor për të cilin do ti drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ai.
Krahas këtij koalicioni të krijuar kundër ndryshimeve në kodin zgjedhor, pritet që në Gjykatës Kushtetuese të shkojë edhe Lulzim Basha apo edhe Adriatik Lapaj të cilët gjithashtu kanë premtuar se do të godasin ligjërisht marrëveshjen PD-PS.
Ndryshimet në kodin zgjedhor hynë në fuqi këtë të premte. Këto ndryshime garantojnë të drejtën e votës për diasporën element që është mbështetur nga të gjithë, si dhe sanksionojnë një formulë të re se si përzgjidhen kandidatët për deputet. Sipas këtyre parashikimeve 1/3 e listës së kandidatëve për deputet nuk i nënshtrohet votimit nga ana e qytetarëve dhe zgjedhësi mund të votojë vetëm kandidatët në pjesën e hapur të listës.
Edhe pse në letër duket se 2/3 e lisitës së kandidatëve është e hapur në realitet rreth 40 deputetë do të përzgjidhen nga vota e qytetarëve 100 te tjerë janë të percaktuar nga vullneti i partisë politike. /vizionplus.tv





