E premte, 9 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:10 Në vijim ora 13:10: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Vendi

KLP dhe Gjykata e Lartë dënojnë vrasjen e Astrit Kalasë: Sulm ndaj Kushtetutës dhe shtetit ligjor! Sinjal alarmi

Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Gjykata e Lartë kanë reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ditën e sotme në ambientet e Gjyaktës së Apelit, ku 30-vjeçari Elvis Shkëmbi qëlloi dhe vrau me armë gjyqtarin Astit Kalaja dhe plagosi babë e bir, Ervis dhe Rakip Kurtaj.

Në reagim, KLP thotë se vrasja e një magjistrati brenda sallës së gjyqit është akt i paimagjinueshëm.

Reklamë

Ndërsa Gjykata e Lartë  thekson se ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.

Reagimi i KLP

Reklamë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë është thellësisht i tronditur nga ngjarja e rëndë që goditi sot sistemin e drejtësisë dhe gjithë shoqërinë shqiptare, ku gjyqtari i Gjykatës së Apelit, z. Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij.

Vrasja e një magjistrati në sallën e gjyqit është një akt i pa imagjinueshëm, që përbën jo vetëm një krim ndaj një përfaqësuesi të drejtësisë, por edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kushtetutës, shtetit ligjor dhe sigurisë publike në tërësi.

Në këto çaste zie, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dëshiron të përcjellë ngushëllimet më të ndjera familjes, të afërmve dhe kolegëve të gjyqtarit Astrit Kalaja, duke shprehur solidaritetin e plotë me gjithë trupën e drejtësisë.

Kjo tragjedi na kujton domosdoshmërinë e një uniteti të fortë institucional dhe përgjegjësie të përbashkët shtetërore, për të mbrojtur çdo përfaqësues të drejtësisë që shërben në emër të ligjit.

Reagimi i Gjykatës së Lartë

Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.

Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.

Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.

Gjykata e Lartë vlerëson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.

Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës./vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë