Kina dhe India zotohen të jenë ‘partnerë, jo rivalë’

Udhëheqësit e Kinës dhe Indisë thonë se tashmë ekziston një besim më i thelluar mes tyre pas viteve të tensioneve, përfshirë edhe mosmarrëveshjen e gjatë kufitare.
Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe kryeministri indian Narendra Modi u takuan në kuadër të takimit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në qytetin portual të Tianjin. Kjo është hera e parë e Modit në Kinë në shtatë vjet.
Xi i tha Modit se Kina dhe India duhet të jenë partnere, jo rivale, ndërsa Modi tha se tani ekziston një “atmosferë paqeje dhe stabiliteti” midis tyre.
Në samit merr pjesë edhe Presidenti rus Vladimir Putin, së bashku me mbi 20 liderë botërorë, megjithatë këtë vit takimi është lënë në hije nga luftërat tregtare me SHBA-të.
Presidenti Trump ka vendosur tarifa të larta për mallrat indiane si ndëshkim për blerjen e vazhdueshme të naftës ruse nga Delhi.
Ndërsa marrëdhëniet SHBA-Indi përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha, Modi po i afrohet Xi-së.
Të dy vendet jo vetëm që janë më të populluarat, por kanë edhe dy nga ekonomitë më të mëdha në botë.
Modi njoftoi se fluturimet midis Indisë dhe Kinës, të pezulluara që nga përplasjet vdekjeprurëse të trupave në kufirin e tyre të përbashkët në Himalaje në vitin 2020, do të rifillojnë, pa dhënë një afat kohor.
Xi tha: Duhet t’i qasemi dhe ta trajtojnë marrëdhënien tonë nga një lartësi strategjike dhe perspektivë afatgjatë dhe është zgjedhja e duhur që të jemi miq.
Samiti i SCO-së në vetvete është kryesisht simbolik, por do t’u lejojë udhëheqësve të shprehin pakënaqësitë dhe interesat e përbashkëta.
Ai vjen disa ditë para një parade masive ushtarake në Pekin që do të shënojë 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Në grup ka 10 shtete anëtare, përfshirë Rusinë, Pakistanin dhe Iranin, dhe 16 partnerë dialogu dhe vëzhgues.
Putin, i cili është një aleat i ngushtë i Kinës, u prit me qilim të kuq në Tianjin të dielën.
SCO u krijua nga Kina, Rusia dhe katër vende të Azisë Qendrore në vitin 2001 si një kundërmasë për të kufizuar ndikimin e aleancave perëndimore si NATO./vizionplus.tv




