Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim mbështet opinionin e Komisionit të Venecias për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kryediplomatja amerikane tha përmes një editoriali se të publikuar në faqen zyrtare se e sheh të mundur krijimin e Kushtetueses brenda këtij viti, pasi mund të arrihet kuorumi.

Ajo i kërkon popullit shqiptar që të bashkohet, ndërsa udhëheqësit të përgjigjen për detyrimin e tyre për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale, në mënyrë që t’iu japin qytetarëve Reformën në Drejtësi që iu detyrohen.

“Këtë javë, pata mundësinë të vizitoja Krujën, kështjellën e heroit të Shqipërisë, Skënderbeut. Përballë sulmesh të njëpasnjëshme nga forca ushtarake më e madhe e kohës, Skënderbeu nuk u dorëzua. Përkundrazi, bashkoi vendin, refuzoi të hiqte dorë, dhe në fund doli fitimtar pavarësisht të gjitha gjasave. Katër vjet më parë, parlamenti – në përgjigje të kërkesave të popullit shqiptar – miratoi Reformën në Drejtësi. Pavarësisht gjithçkaje, zbatimi ka pasur përparim real: shumica e institucioneve të kërkuara janë ngritur, vetingu ka larguar gjyqtarë dhe prokurorë që nuk shpjegojnë dot pasurinë e tyre, dhe gjyqtarë dhe prokurorë të rinj po trajnohen dhe merren në punë. Reforma në Drejtësi ka qenë e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur, por po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë në mënyrë që Shqipëria të sigurojë të ardhmen e saj si një anëtar edhe më me vlerë i NATO-s dhe anëtare e plotë e e Bashkimit Evropian.”

Kim shprehet se Reforma në Drejtësi ka bërë përparim të mjaftueshëm për të frikësuar ata që nuk e duan atë, por ende jo aq përparim sa të përmbushë kërkesat e popullit shqiptar për një sistem drejtësie që ka veçori integritetin dhe pavarënë.

“Prandaj, ata që kanë frikë nga Reforma në Drejtësi janë në sulm. Ata që e duan Reformën në Drejtësi duhet të gjejnë frymëzim tek fryma e Skënderbeut, tani më shumë se kurrë. Katër vjet pas përballjes me pengesa të shumta, është e natyrshme të ndjesh lodhje dhe ndoshta shkurajim. Por nëse shohim atë që është përftuar pavarësisht pengesave – dhe se sa shumë mund të përftohet për brezin e ardhshëm – atëherë ky është pikërisht momenti kur duhet të dyfishojmë përpjekjet dhe të shtyjmë përpara drejt synimit tonë. Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias mbi Emërimin në Shqipëri të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ofron një mundësi për të gjitha palët që të bëhen bashkë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Nuk është rasti për akuza apo valle fitoreje. Asnjë institucion nuk ishte tërësisht fajtor. Asnjë institucion nuk e kishte tërësisht drejt apo tërësisht gabim. Komisioni i Venecias pranon se ekzistojnë interpretime të ndryshme, legjitime të dispozitave ligjore, të cilat “çuan në emërimin me pikëpyetje të dy gjyqtarëve’ për të njëjtin vend në Gjykatën Kushtetuese. Është me rëndësi që as presidenca dhe as parlamenti nuk është një gjykatë me autoritetin për të vendosur se si duhet ecur përpara kur në legjislacion ka një boshllëk. Komisioni i Venecias vë në dukje se “Varet nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë për interpretimin e dispozitave të Kushtetutës në një situatë që nuk parashikohet në procesin e hartimit.” Kjo këshillë thekson urgjencën e ngritjes së një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur. Në vend që të ngecin në qëndrimet e tyre, tani është përgjegjësi e udhëheqësve të Shqipërisë që të ndjekin këshillën e qartë të Komisionit të Venecias: “Kultura dhe pjekuria demokratike kërkojnë përmbajtje institucionale, mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë midis institucioneve të shtetit.”

Sipas Kim, Presidenca dhe Parlamenti duhet të angazhohen në dialog përpara se të marrin listat e kandidatëve për emërimet.

“Opinioni i Komisionit të Venecias hap një shteg përpara. Me qëndrimin në detyrë të gjyqtarëve të tanishëm, është e mundur që gjykata të arrijë kuorumin në vitin 2020. Presidenca dhe Parlamenti duhet të angazhohen në dialog përpara se të marrin listat e kandidatëve për emërimet. Edhe një herë, duhet të ekzistojë të kuptuarit e përbashkët të zbatimit për të harmonizuar ndonjë interpretim mosdakordësues të ligjit. Duke rikujtuar shembullin e Skënderbeut, Ambasada e SHBA është në një mendje me Komisionin e Venecias: përballë korrupsionit dhe padrejtësisë – armiku ynë i përbashkët tek dera – populli i Shqipërisë duhet të bashkohet dhe udhëheqësit duhet të përgjigjen për detyrimin e tyre për të siguruar që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale, për t’i dhënë qytetarëve Reformën në Drejtësi që iu detyrohen, dhe për të siguruar të ardhmen e Shqipërisë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *