Këshilli Bashkiak i qytetit të Kuçovës ka vendosur që rrogat e këshilltarëve të muajit maj t’ua shpërndajë familjeve në nevojë që jetojnë në territorin e kësaj bashkie. Të 31 anëtarët e Këshillit Bashkiak vendosën me unanimitet të plotë që të kalojnë në favor të familjeve në nevojë, shpërblimin e punës së tyre për muajin pasardhës.

Në bazë të Aktit Normativ të Këshillit të Ministrave në 13 mars 2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”, mbledhja e Këshillit Bashkiak u zhvillua e gjitha në mënyrë elektronike. Në mbledhje, krahas miratimit të shumë pikave të rendit të ditës, mes tyre edhe miratimi i ndihmës ekonomike për muajin mars 2020, Këshilli Bashkiak Kuçovë ka marrë edhe një tjetër vendim të rëndësishëm. Për të gjitha familjet që jetojnë në banesat sociale u vendos mospagimi dhe falja e detyrimit tê qerasë së shtëpisë për muajin maj.

Po kështu, kjo bashki miratoi në mbledhje edhe “Rregulloren për Këshillin Bashkiak Kuçovë, marrëdhënjet e Këshillit Bashkiak me publikun dhe median, kodin e sjelljes dhe të parandalimit të konfliktit të interesave të këshilltarit bashkiak”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *