Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin kur autori vjen dhe në pak sekonda i vendos sasinë e tritolit banesës së deputetit të PD-së Xhelal Mziu.
Policia e Tiranës ka sekuestruar një serë kamerash të banesave ngjitur me atë të deputetit demokrat ku kanë parë momentin kur autori vjen me një biçikletë dhe vendos në pjesën e murit rrethues sasinë e vogël të tritolit. Më pas menjëherë largohet po me biçikletë.
Në pamje ai duket se ka vepruar i vetëm. Kamerat e kanë fiksuar deri në afërsi të Institutit Bujqësor dhe më pas i humbasin gjurmët. Autori ishte veshur me rroba të errëta dhe me kapuç.
Ndërkohë Xhelal Mziu është marrë sërish në pyetje ku ka thënë se nuk ka konflikte me persona të tjerë.
Lënda plasëse është vendosur në murin rrethues të banesës duke shkaktuar dëme materiale, ku janë thyer xhamat e vilës së Xhelal Mziut, por edhe të fqinjëve të tij. Dëmtime kanë pësuar dhe disa mjete të parkuara aty pranë.
Tritoli ka tronditur banorët e lagjes, ndërkohë në momentin e shpërthimit brenda në banesë ka qenë deputeti Mziu me bashkëshorten e tij.
/vizionplus.tv





