Interesi më i madh në raundin e dytë të regjistrimeve është për programet dy-vjeçare profesionale, që premtojnë punësim të menjëhershëm pas diplomimit.
Kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar thekson se që në nisje të fazës së parë, maturantët po tregojnë një prirje të qartë drejt degëve praktike të orientuara nga tregu i punës.
“Fillim te vrullshëm mund të kenë patur programet dy vjeçare kurse programet e tjera kanë atë ecuri deri në ezaurim të kuotave të mbetura nga raundi i parë dhe pastaj vijojnë dhe programet e tjera që mbase në raundin e parë nuk arritën pritshmëritë e tyre”, tha Arjan Xhelaj, drejtor i RASH.
Vetëm në nisje të fazës së parë është regjistruar gati një e treta e aplikantëve, që sipas Xhelaj tregon një ecuri pozitive. Ky trend reflekton kërkesën e lartë për vendet e lira të mbetura nga raundi i pare.
“Aktualisht priten 16% e maturantëve të regjistrohen sepse aq kanë aplikuar në raundin e dytë. Janë ata që kanë ngelur pa u regjistruar në raundin e parë dhe ata që erdhën nga provimet e vjeshtës. Besoj që do të ketë ecuri të mirë. Nuk ka mbaruar akoma faza e parë dhe ne po I afrohemi rreth 2000 maturantëve që priten të regjistrohen Brenda kësaj faze dhe është një ecuri e mirë sepse do të thotë që të paktën 1/3 e aplikantëve të raundit të dytë po regjistrohen që në 48-orëshin e pare”, u shpreh Xhelaj.
Ata që nuk arrijnë të regjistrohen në këtë raund, do të kenë mundësi të aplikojnë më vonë në fazën e lirë përmes portalit U-Albania.
“Pjesa tjetër që nuk arrijnë të regjistrohen kanë edhe fazën e lirë e cila vijon në fakultet, por gjithë procesi kryhet në portal për të përcaktuar të gjithë kriteret hyrëse”, u shpreh drejtor i RASH.
Bazuar në të dhënat e Rrjetit Akademik Shqiptar, deri në fund të dy raundeve pritet që mbi 21 mijë maturantë të kenë siguruar një vend në auditorët e universiteteve të vendit.
/vizionplus.tv




