Shantazhi nëpërmjet rrjeteve sociale është kthyer në një problem të madh në vend: policia ka mundur të zbulojë disa raste të rënda dhe arrestojë personat përgjegjës të cilët iu zhvatnin shuma të konsiderueshme parash viktimave të tyre nën kërcënimin se do iu publikonin të dhëna private dhe sensitive.
Rasti më i fundit është ai i një 21 vjeçari, i cili ka përndjekur një të mitur 13 vjeçare në Tiranë.
Lexo edhe :
Related Posts
“Një vajzë në Tiranë ka denoncuar se bashkë me motrën e mitur është përndjekur nga një person, që përdorte adresë false. E mitura është larguar nga banesa nga përndjekja. Pas një punë hetimore, është bërë i mundur identifikimi dhe kapje e autorit të dyshuar të këtij autori, Hajrullah Kamani, 21 vjeç, banues në Durrës për përndjekje. Gjithashtu është bërë e mundur gjetja e vajzës së mitur e cila është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ndodhet në gjendje të mirë”, tha drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj.
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike zbuloi edhe një nga personat më aktivë të shantazhit online: bëhet fjalë për një shqiptar të burgosur në Francë.
“Dokumentimi i plotë ligjor i 62 rasteve të përndjekjeve online, kryer nga shtetasi Fabjan Dodaj, i cili vuan dënimin në burgun “Lyon Cobras” në shtetin francez. Ky shtetas, nëpërmjet profileve virtuale të falsifikuara në rrjetet sociale të krijuara nga ana e tij, me fotografi dhe gjeneralitetet e personave të dëmtuar, në mënyrë të vazhdueshme shantazhonte këta persona, më qëllim përfitimin e fotografive dhe videove intime, në këmbim të fshirjes së këtyre profileve”, tha Vocaj.
Për të njëjtin krim, në Tiranë u vunë në pranga edhe dy vëllezër.
“Finalizimi i operacionit policor të koduar “Cybersnare” ndjekur me metoda speciale të hetimit, gjatë të cilit janë arrestuar dy vëllezër, shtetasit Halim Malja 20 vjeç, dhe Jurgen Malja 18 vjeç, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas komunikimeve që bënin në rrjete sociale me persona të ndryshëm kryesisht të gjinisë femërore, siguronin foto dhe video intime duke krijuar më pas profile në aplikacione virtuale me gjeneralitete dhe foto të këtyre personave dhe për mospublikimin online të këtyre materialeve, kërkonin nga personat e dëmtuar shuma të ndryshme parash që varionin nga 1500 deri në 3000 euro”, tha ai.
Kërcënimet përmes rrjeteve sociale çuan në pranga edhe Endri Xhaferrin, Genti Gegën, dhe Bernard Çullhain. Ndërsa nën akuzën e mashtrimit dhe vjedhjes përmes kartave të kreditit, janë arrestuar 4 persona të tjerë. /vizionplus.tv






